Të tjera lajme

“DHJETË DHI, NJË BARNATORE” – FERMA NGA SLLATINA PO FITON BETEJËN NË TREG PA NDIHMËN E SHTETIT!

Në Sllatinë të Komunës së Tearcës gjendet ferma e dhive “Alpina Sharri”. Janë 150 deri 200 dhi që kultivohen nga kjo familje.

Ibish Ibishi është pensionist dhe i ndihmon djalit të tij në këtë veprimtari blegtorie, pasi vështirë gjendet fuqia punëtore.

Thotë se me blegtori dhe me fermën e dhive ka lëvërdi.

IBISH IBISHI – Ferma e dhive “Alpina Sharri”

“Unë jam pensionist, i ndihmoj se nuk ka fuqi punëtore. Ka lëvërdi. Ne ia kemi arritë krejt këtë që shihni këtu, ndërtimet e blerjet e maqinave, prej këtyre dhive. Nuk mund të ankohemi se nuk ka lëvërdi”

Ibishi thotë se pavarësisht kërkesave, nuk ka asnjë ndihmë nga shteti. Madje, nuk I ka marrë as edhe subvencionet.

IBISH IBISHI – Ferma e dhive “Alpina Sharri”

“Kemi probleme financiare, subvencionet ende nuk i kanë lëshuar. Por, ia arrijmë diqysh të mbulohemi me tokat t`i lëvrojmë e t`i mbjellim. Nuk kemi asnjë ndihmë prej shtetit. Kërkesa kemi bërë, te IPA-Fondet, na shkuan 2.000 euro, krejt kot. Për ne nuk ka ndihmë”

Qumështin e dhive nuk ua shet Qumështoreve për shkak të çmimit të ulët. Kanë nisur që vet ta përpunojnë duke nxjerrë në treg qumësht dhie të pasterizuar në marketet e Komunës së Tearcës.

IBISH IBISHI – Ferma e dhive “Alpina Sharri”

“Plasman vetëm privat. Prej sivjet e kemi ndërprerë, qumështin nuk e çojmë në Qumështore, se nuk ia vlen për 28 denarë. Kemi filluar vet e përpunojmë qumështin, djathin, gjizën, por ende nuk kemi filluar me komplet startin”

Ibish Ibish thotë se ka shumë kërkesa për qumështin e dhive dhe mishin e kecave, për shkak të vetive shëruese.

IBISH IBISHI – Ferma e dhive “Alpina Sharri”

“Qumështi i dhive është shumë I shëndetshëm, krahasohet me qumështin e nënës. Si thotë Daut Demaku “Dhjetë dhi në shtëpi një barnatore e ki”. Shumica e kërkojnë për kancer edhe mishin e kecave edhe qumështin e dhive, por edhe për fëmijtë, për bronhit, ka veti shëruese”

Në këtë fermë të dhive në Sllatinë të Komunës së Tearcës, Ibish Ibishi dhe djali i tij, siç thotë, mundohen me forcat e tij që të mbajnë gjallë këtë veprimtari blegtorale. Mungesa e fuqisë punëtore dhe pagat e larta e kanë detyruar këtë familje që të mbështetet në forcat vetanake.

Pavarësisht mungesës së ndihmës shtetërore thonë se nuk heqin dorë nga kjo veprimtari duke shpresuar se me investimet në prodhimet e bylmetit dhe mishin e dhive të mund të mbijetojë dhe të jetë konkurrues në treg./Tv Koha/

Të fundit