Të tjera lajme

NJË GOL PËR AGANIN, NJË MESAZH QË MPOSHTI URREJTJEN!(FOTO)

Në një kohë kur në sport shpesh dëgjohen thirrje që ndajnë, një djalosh nga Kumanova tregoi se futbolli mund të jetë edhe mesazh miqësie e humanizmi. Një gol i dedikuar për një bashkëmoshatar që humbi jetën tragjikisht dhe një gjest që preku mijëra njerëz, u shndërruan në histori që rikthen besimin se sporti bashkon, pavarësisht dallimeve.

Në kohën kur në terrenet sportive në vendin tonë, gjithnjë e më shumë, kanë filluar të shfaqen thirrje në baza nacionale, një gjest i një djaloshi nga Kumanova, riktheu besimin se megjithatë sporti bashkon e nuk i ndan njerëzit.

Në një ndeshje me bashkëmoshatarët e tij, djaloshi David Dokmanoviq nga fshati Umindoll i Kumanovës, pasi shënoi gol, ngriti bluzën dhe bëri një dedikim për Agan Aasanin nga Çerkezi i Kumanovës, I cili tragjikisht humbi jetën.

Open Tv nga Kumanova dhe gazetari Reshat Ibraimi kishin gjetur djaloshin që bëri bujë në opinionin sportiv në vend. Davidi thotë se ideja e dedikimit ka qenë e tij, pa asnjë ndërhyrje.

DAVID DOKMANOVIQ – Futbollist

“Ideja më erdhi nga që para disa ditëve ai ka qenë me trotinet, dikush e ka përplasur me veturë. Dëshirova t`ia përkushtoj golin për shkak se nuk është i rëndësishëm nacionaliteti por miqësia” 

Por, ky rrëfim i bukur sportiv, nuk u ndal me kaq.

Familja e Agan Asanit nga Çerkezi i Kumanovës vizitoi djaloshin nga fshati Umindoll. Ia dhuruan topin e futbollit me të cilin kishte luajtur Agani në shtëpi!  Një takim që preku zemrat e të gjithëve.

FAMILJAR I AGANIT

“David, ky është topi me të cilin Agani trajnonte në shtëpi. E vendosëm që këtë top të ta dhurojmë ty”

GJYSHI I DAVIDIT

“Shënoi gol të tillë, sa që edhe Nojeri të ishte në gol nuk do ta mbronte. Vrapoi dhe e çoi bluzën lartë. Ndeshja përfundoi u mblodhëm te trajneri dhe unë e pyeta “Bir, çfarë shkruan aty? Tha golin ia kushtoj Aganit”

Ky postim në Open Tv ka marrë 6.500 pëlqime, është shpërndarë 305 herë dhe ka tubuar 350 komente.

Pa marrë parasysh përkatësinë etnike, në komente dominojnë mesazhet se njerëzit e veçanërisht fëmijët nuk vuajnë nga stereotipet nacionaliste duke ia mveshur fajin politikës e politikanëve për nxitje të urrejtjeve në baza nacionale.

Për fund, në këtë kontekst, vlen të përmendet se edhe Klubi i Futbollit “Pelisteri” në ndeshjen e balotazhit për Ligë të Parë kundër Shkëndisë së Haraçinës, në Kavadar, para nisjes së takimit, futbollistët dolën me bluza me shirita të zinj e me mbishkrimin “Prehu në paqë Agan”!

/Tv Koha/ 

Të fundit