22/06/2024
21.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Dita “D” për zyrtarët e RMV-së, fillojnë të zbatohen dënimet më të ulëta të Kodit Penal (Infografik)

Nga sot do të fillojnë të zbatohen ndryshimet në Kodin Penal (KP), të cilat u votuan në Kuvend brenda një kohe shumë të shkurtër, me një procedure të shkurtuar dhe me flamur evropian pa debat publik. Me ndryshimet, ndër të tjera, parashihen dënime më të ulëta për veprat që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e pozitës zyrtare, punën e pandërgjegjshme në shërbim dhe bashkimin kriminal, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Prokurorët, gjyqtarët, avokatët ende po përpiqen të interpretojnë se si do të zhvillohet i gjithë ky proces – një numër i madh i lëndëve që nuk janë të formës së prerë do të duhet të fillohen nga fillimi, disa lëndë do të vjetërsohen (shumica e lëndëve të ish-PSP-së), ndërsa veprat do të duhet të rikualifikohen. Një numër i madh i ekspertëve të së drejtës penale me të cilët bisedoi Meta.mk thonë se kurrë më parë gjatë punës së tyre nuk janë përballur me një situatë të këtillë, që brenda një kohe kaq të shkurtër dhe larg syve të opinionit të ketë ndryshime kaq të mëdha sa i përket dënimeve për personat që janë në funksione shtetërore.

Nëse ndryshimet në Kodin Penal do të duhej të përshkruheshin në një mënyrë më të thjeshtë, atëherë, sipas njohurive të deritanishme të ekspertëve, del se se asnjë zyrtar nuk do të përballet me një dënim më të lartë se 5 vjet burg nëse i njëjti e keqpërdor pozitën e tij zyrtare.

Kështu, në nenin 353 të Kodit Penal më parë ishte e paraparë që zyrtari i cili e ka shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe ka përfituar një përfitim të konsiderueshëm në pronë, do të dënohet me burgim me kohëzgjatje prej të paktën 3 vjet. Kjo nënkuptonte se dënimi maksimal për 353, paragrafi 3, ishte 20 vjet. Me ndryshimet, dënimi do të jetë nga një deri në pesë vjet burg, që do të thotë katër herë më i ulët.

Ndryshimi i Kodit Penal, neni 353
Ndryshimi i Kodit Penal, neni 353

Pastaj, në ligjin e vjetër, në nenin 353 paragrafi 5, parashikohej se nëse keqpërdorimi i pozitës është kryer gjatë prokurimit publik, në dëm të buxhetit, dënimi do të jetë të paktën 5 vjet (ose më së shumti 20 vjet). Tani, ky paragraf nuk është më në ligj. Nga Gjykata Themelore Penale për Meta.mk thanë se për momentin ka 34 lëndë që udhëhiqen pikërisht sipas këtij paragrafi.

Në mesin e tyre, përveç ish-zyrtarëve që ndiqen penalisht në rastet e ish-PSP-së, është edhe Muhamed Zekiri, ish-sekretar i përgjithshëm i Qeverisë. Me qenë se ai ndiqet penalisht sipas një neni të ligjit që nuk ekziston më, në seancën e ardhshme gjykata do ta vërtetojë këtë dhe prokuroria do të duhet ta rikualifikojë veprën penale, pra ta ndjekë penalisht Zekirin sipas një neni tjetër të ligjit. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me ish-sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë Dragi Rashkovski, i cili nuk është dënuar me dënim të formës së prerë me 8 vjet burg, ndërsa tani rasti është në Gjykatën e Apelit. Gjykata e shkallës së dytë tani mund ta anulojë vendimin dhe ta kthejë atë për rigjykim, pas së cilës prokuroria duhet të vendosë për rikualifikimin, ndërsa mund të vendosë në mënyrë meritore (me më pak gjasa) sipas ndryshimeve të reja ligjore.

Ndryshimi i Kodit Penal, neni 353-v

Për bashkim kriminal, neni 394 i Kodit Penal, për “organizatorin e grupit/bandës”, deri më tani dënimi ishte nga një deri në 10 vjet burg, ndërsa tani ai ulet në tre vjet, pra për më shumë se tri herë. Sipas këtij neni në Gjykatën Themelore Penale në Shkup udhëhiqen nëntë lëndë.

Ekspertët juridikë të cilët u konsultuam thonë se problemi më i madh në këtë rast do të jetë vjetërsimi i lëndëve dhe sigurisht edhe shpenzimet që do të bëhen për shkak të gjykimeve të përsëritura për të gjithë ata që kanë qenë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në këtë rast, do të vjetërsohen të gjitha rastet në të cilat vepra është kryer para vitit 2013, duke pasur parasysh se vjetërsimi absolut ndodh pas një periudhe kohore dy herë më të gjatë se kohëzgjatja e dënimit të shqiptuar (në këtë rast dënimi maksimal është 5 vjet, që do të thotë se vjetërsimi do të ndodhë pas 10 vjetësh).

Ndryshimi i Kodit Penal, neni 394
Ndryshimi i Kodit Penal, neni 394

Kjo do të thotë se të gjithë zyrtarët që akuzohen apo janë nën hetim për vepra të kryera para vitit 2013 dhe që kanë të bëjnë me keqpërdorim të pozitës zyrtare, punë të pandërgjegjshme në shërbim apo bashkim kriminal do të “shpëtojnë”. Kështu, rastet të cilat do të vjetërsohen janë TNT, Talir, Talir 2, Thesari, Tarifa, Dizajn, Toplik, Titanik, Titanik 2, Shkallt spanjolle, Kështjella -Target” e të tjera.

Për Kovaçevskin ligji është i mirë, për BE-në ai është shqetësues 

Për dallim nga reagimet e shumta në opinion, kryeministri Dimitar Kovaçevski ka një qëndrim tjetër- ai sot tha se ndryshimet në Kodin Penal janë pozitive dhe do të mundësojnë efikasitet më të madh të sistemit të drejtësisë. Ai tha se dënimet e mëparshme kanë qenë të kohës së komunizmit, ndërsa ndryshimet që janë bërë ekzistojnë në shumë vende të Bashkimit Evropian.

“Tek ne shumë gjëra ecin ngadalë dhe me të drejtë bëhen vërejtje për këtë. Por kur diçka shkon shpejt, nuk mendoj se duhen bërë shumë vërejtje. Ndryshimet janë bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi në BE. Nëse e shihni legjislacionin gjerman, atëherë neni mungesa e të cilit më së shumti u komentua tek, është pikërisht ashtu edhe në Gjermani. Nëse e shihni lartësinë e gjobave dhe i krahasoni me Slloveninë, do të shihni se janë në të njëjtin nivel. “Fakti që më parë ne kishim një ligj në të cilin dënimet ishin të kohës së komunizmit sepse i kishte bërë një, do ta quaja Darth Vader i gjyqësorit maqedonas, nuk do të thotë se ato nuk duhet të ndryshohen”, tha Kovaçevski.

Kryeministri tha se konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme po bëhet me kërkesë të qytetarëve dhe shumica e lëndëve gjyqësore nuk do të zhvillohen pafundësisht.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Komisionit Evropian e angazhuar për fqinjësi, zgjerim dhe partneritet ndërkombëtar, Ana Pisonero, e pyetur për një koment në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal, për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve MIA tha se “Maqedonia e Veriut mori obligimin që të promovojë sundimin e ligjit dhe të luftojë kundër mosndëshkimit dhe për këtë arsye, sanksionet për aktivitetet korruptive duhet të jenë efektive, adekuate dhe bindëse”.

“BE-ja me shqetësim bën vërejtje se disa nga ndryshimet e Kodit Penal të miratuara me procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, me të cilat zvogëlohen dënimet maksimale ligjore dhe shkaktojnë implikime në zbatimin e parimit të vjetërsimit, ndikojnë në një numër të madh të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë”, tha Pisonero.

Në deklaratën e saj ajo shtoi se BE-ja shpreh keqardhje për mungesën e konsultimeve gjithëpërfshirëse me faktorët vendor dhe Komisionin Evropian para miratimit të tyre, si dhe për përdorimin e procedurës së flamurit të BE-së, e cila duhet të jetë konsistente dhe e lidhur qartë me ligjet që synojnë në radhë të parë harmonizimin e së drejtës kombëtare me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Të fundit