Të tjera lajme

DITA DËSHMORËVE: HOMAZHE NGA KUMANOVA DERI NË STRUGË!

5 Maji, i njohur si Dita e Dëshmorëve të Kombit, shënohet çdo vit me ceremoni përkujtimore dhe homazhe në Tetovë dhe mbarë trojet shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kjo ditë shërben për të nderuar sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe idealet kombëtare.

Nga Kumanova e deri në Strugë, Dita e Dëshmorëve është shënuar me vizita tek vendprehjet e dëshmorëve dhe me homazhe për të përkujtuar sakrificën e tyre.

Në këtë ditë me peshë të veçantë historike e kombëtare, u përkulën me nderim para veprës së tyre të pavdekshme, duke rikujtuar se liria dhe dinjiteti që gëzojmë sot janë fryt i gjakut dhe përkushtimit të tyre.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, me rastin e “Ditës së dëshmorit”, në Qendrën memoriale “Nëna shqiptare” në Zajaz, nderoi të rënët e lirisë dhe dëshmorët e kombit, që ranë në altarin e lirisë gjatë periudhave të ndryshme kohore.

Homazhe dhe nderime u bënë edhe në vendprehjet e dëshmorëve në kuadër të Brigadës 112 “Mujdin Aliu” tek Kompleksi Memorial afër Teqesë në Tetovë në Organizim të SHVL të UÇK-së.

Sot është dita kur nderojmë Dëshmorët e Kombit. Heronjtë të cilët luftuan për idealet e larta dhe dinjitetin tonë Kombëtar.

Sot është një ditë për të reflektuar dhe nderuar sakrificën dhe heroizmin e bijëve dhe bijave të kombit të treguar gjatë luftërave çlirimtare.

Kujtimi i tyre është drita jonë. Heroizmi i tyre — trashëgimia jonë e përjetshme, u tha në këtë ceremoni përkujtimore.

5 Majin – Dita e Dëshmorëve të Kombit, është shënuar edhe në Komunën e Tearcës, duke bërë homazhe dhe duke kujtuar me respekt e mirënjohje të thellë sakrificën e tyre ndër vite.

Homazheve u ka paraprirë edhe kreu I Komunës së Tearcës, Daut Memishi.

Janë vizituar vendet ku prehen dëshmorët, duke rikujtuar se liria dhe dinjiteti që gëzojmë sot janë fryt i përkushtimit dhe gjakut të tyre.

Në Ditën e Dëshmorëve, kujtojmë me nderim të thellë të gjithë bijtë e bijat e kombit shqiptar që dhanë jetën për liri dhe dinjitet.

Sakrifica e tyre është themeli mbi të cilin ndërtojmë të ardhmen e fëmijëve tanë – ka shkruar në Facebook, kreu I Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

5 Maji është dita e kujtesës. Dita kur emrat e dëshmorëve ngrihen mbi kohën dhe bëhen pjesë e përjetësisë së këtij vendi.

Ata lanë pas një amanet të rëndë e të qartë: të ecim përpara, të punojmë çdo ditë dhe të mbajmë gjallë idealin për të cilin ranë.

Kjo përgjegjësi është mbi ne – shkroi Izet Mexhiti në Facebook./Tv Koha/

Të fundit