17/06/2024
18.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Dokumentet personale në RMV me çmime më të shtrenjta, duhet të ndryshohen deri në fund të vitit

Të gjithë qytetarët e Maqedonisë duhet të ndryshojnë dokumentet e tyre personale me emrin e ri të shtetit deri në shkurt të vitit 2024. Dokumentet e reja lëshohen me çmime të reja.

Çmimi i pasaportës për personin deri në 27 vjeç mbetet i pandryshuar – 1.500 denarë, por pasaporta për personin mbi 27 vjeç do të jetë 2.000 denarë. Çmimi i mëparshëm ishte 1.500 denarë. Ndërsa letërnjoftimet e reja do të kushtojnë për 120 denarë më shtrenjtë – çmimi i ri është 310 denarë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ndërrimi i patentë shoferit deri më tani ka kushtuar 280 denarë, ndërsa çmimi i ri me emrin e ri të shtetit është 410 denarë.

Janë shtrenjtuar edhe procedurat urgjente për marrjen e dokumenteve të reja – çmimi i pasaportës sipas procedurës urgjente është 6.100 denarë, që është rritje prej 1.600 denarë. Çmimi i patentë shoferit me procedurë urgjente është 1.230 denarë, që është rritje prej 390 denarë.

Nga MPB thonë se rritja e çmimit vjen si pasojë e rritjes së çmimeve të blerjes së formularëve të importuar, rritjes së kostove për mirëmbajtjen e sistemit që kryhet nga një operator ekonomik i huaj, si dhe blerjes së makinerive të reja për shkak të nevojës për të zëvendësuar makinat e personalizimit tashmë të konsumuara.

Deri në shkurt të vitit 2024, qytetarët kanë obligim ligjor të ndryshojnë të gjitha dokumentet personale, në të cilat në vend të emrit të mëparshëm Republika e Maqedonisë, duhet të shkruhet emri i ri Republika e Maqedonisë së Veriut, i cili doli nga Marrëveshja e Prespës.

Të fundit