23/04/2024
7.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Osmani-Saracin: Marrëdhënie të qëndrueshme partneriteti me Gjermaninë

Procesi i Berlinit padyshim që vazhdon të jetë shtytës i rëndësishëm i proceseve reformuese në rajonin tonë, theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në takimin e sotëm me Manuel Saracin, përfaqësues special i Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor.

Ministri Osmani shprehu kënaqësinë e madhe për rezultatin pozitiv të takimit ministror në kuadër të Procesit të Berlinit të mbajtur javën e kaluar, për Deklaratën e miratuar për implementimin e Tregut të Përbashkët Rajonal si dhe për nënshkrimin e paralajmëruar të Marrëveshjeve për njohjen e kualifikimeve/diplomave akademike, kualifikimeve profesionale dhe udhëtimeve me letërnjoftime në rajon, i cili pritet të nënshkruhet në Samitin, i cili do të mbahet më 3 nëntor, në Berlin.

Osmani shprehu falënderim për mbështetjen e pahamendshme të Gjermanisë për procesin euro integrues të Maqedonisë së Veriut dhe mbajti brifing për rrjedhën e skriningut, si fazë jashtëzakonisht domethënëse në procesin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit shprehën kënaqësi për dinamikën intensive të dialogut politik ndërmjet dy shteteve, që nënkupton ndërtimin e marrëdhënieve të fuqishme dhe të qëndrueshme me Gjermaninë.

“Fakti se Gjermania është partneri ynë më i madh politik dhe ekonomik është vetëm edhe një konfirmim i përkushtimit dhe interesimit për të qenë të pranishëm në rajon”- theksoi Osmani.

Të dy bashkëbiseduesit e theksuan rolin e rëndësishëm të NATO-s në ruajtjen e sigurisë evropiane dhe botërore në kontekstin gjeopolitik jostabil, si dhe rolin e rëndësishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si vend kryesues i OSBE-së në vitin 2023.

Të fundit