14/06/2024
22.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Editorial/ Maqedonia e Veriut e zhytur në borxhe, cila është zgjidhja?

Maqedonia e Veriut thuajse është në pragun që të futet në shtetet me borxh të lartë dhe aktualisht ka 7.7 miliardë euro borxhe. Kjo i bie që çdo qytetarë i vendit ka rreth 3850 euro borxhe vetëm të shtetit, pa llogaritur edhe kreditë dhe borxhet private që i ka. Andaj qeveria urgjentisht duhet të largohet nga shpenzimet e kota, nga investimet jo produktive dhe mos të mundohet të lajë borxh me borxh, por borxhet e marra t’i harxhojë për investime fitimprurëse.

Maqedonia e Veriut e futur në 7.7 miliardë euro borxhe!

Banka popullore e Maqedonisë së Veriut në fillim të muajit tetor njoftoi për ndryshimet më të rëndësishme në borxhin e jashtëm të shtetit, më saktësisht në kuartalin ose tremujorin e dytë të vitit 2022. Sipas të dhënave të publikuara që i transmeton “Zhurnal”, në fund të tremujorit të dytë të vitit 2022, borxhi i jashtëm neto regjistroi ulje kuartale me 101 milionë euro, që në fund të qershorit 2022 shkon në 3.988 miliona euro.

Rritje kuartale prej 385 milionë eurosh ka shënuar borxhi bruto i jashtëm, i cili në fund të tremujorit të dytë arriti në 10,379 milionë euro. Bruto kërkesat e jashtme kanë shënuar rritje prej 486 milionë euro dhe tani vlera e përgjithshme është 6,391 milionë euro.

Pozicioni negativ i investimeve ndërkombëtare neto në fund të qershorit 2022, është 7,770 milionë euro, ose 58.3% e BPV-së së parashikuar për vitin 2022. Nga kjo shumë, pjesa më e madhe, ose 83%, janë detyrime neto të bazuara në investime direkte, nga të cilat 73% janë të bazuara në kapitalin e vet.

Në fund të qershorit 2022, borxhi i jashtëm bruto arrin në 10,379 milionë euro (ose 77.9% e BPV-së së parashikuar) dhe shënoi një rritje tremujore prej 385 milionë euro (ose me 3.9%).

Krahasuar me fundin e një viti më parë, borxhi bruto i jashtëm është rritur për 802 milinë euro ose për 8.4%.

Çdo qytetarë ka borxh të shtetit nga 3850 euro!

Borxhi publik përbëhet nga borxhet që ka shteti ndaj bankave, institucioneve tjera financiare, borxhet e ndërmarrjeve publike, komunave, kompanive në pronësi shtetërore, Bankës Popullore e subjekteve tjera.

Sipas shumave të lartpërmedura , çdo qytetar i Maqedonisë së Veriut thuajse ka një borxh prej 3.850 euro. Bruto Prodhimi Vendor as që ka lëvizur, ndërsa qeveria merr borxh, i shpenzon dhe rezultate në ekonomi nuk ka, andaj edhe nuk ka sipërmarrës, afaristë apo qytetarë që nuk ankohen me krizën aktuale.

Sipas kritereve të Bankës Botërore, vendet me borxh publik deri në 60 për qind të Bruto Prodhimit Vendor janë shtete me borxhe mesatare, ndësa kur tejkalohet ai prag, atëherë bie në kategorinë e shtetit me borxh të lartë. Maqedonia e Veriut është në kufi të të kaluarit në shtete me borxh të lartë.

Qeveria synon që deri në vitin 2026 këtë borxh ta stabilizojë përmes zvogëlimit të administratës publike dhe rritjes më të madhe ekonomike.

Qeveria gabon kur mundohet me borxhe të reja të shlyejë borxhin e vjetër!

Fatkeqësisht me shlyerjen e borxhit publik kemi probleme të mëdha, veçanërisht nëse përdoret në mënyrë joproduktive. Me borxhin publik duhet të financohen ato sektorë të ekonomisë që normalisht do të sillnin të ardhura, të cilat tani po i humbin për shkak të pandemisë e krizës Ukrainë-Rusi.

Për momentin, një politikë e tillë duket e pranueshme për politikanët dhe për të gjithë sepse në një farë mënyre tejkalon çështjet e krizës. Por, kriza nuk do të evitohet në qoftë se nuk kursejmë dhe nëse nuk e përdorim këtë borxh në ata sektorë që sjellin të ardhura. Madje, gjendja do të përkeqësohet edhe më shumë.

Qeveria nuk i ka dhënë mbështetje të mjaftueshme ekonomisë, as me pakot financiare, as në formën e investimeve kapitale, investimeve publike, siç kanë bërë shumë shtete të Evropës Perëndimore dhe disa nga vendet e Evropës Lindore.

Ajo që është më e rëndësishme është që njëherë e përgjithmonë qeveria të largohet nga praktikat e keqpërdorimit të arkës së shtetit dhe me shumë rëndësi është të hiqet dorë edhe nga investimet joproduktive.EDITORIAL nga Agjencia e lajmeve Zhurnal

Të fundit