02/05/2024
14.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Elezi: Përpos rreziqeve tjera, ndotja e Lumit Shkumbin, burim i përhapjes së sëmundjeve

Shtrati i Lumit Shkumbin në Tetovë është i mbushur me mbeturina. Qytetarët e pandërgjegjshëm, pos mbeturinave të amvisërive kanë hedhur edhe mbeturina ndërtimore, orendi shtëpiake dhe materiale nga më të ndryshmet. Pamjet të cilat shihen në Lumin Shkumbin janë pamje mjaftë shqetësuese sepse nga këto mbeturina mund të përhapen rreziqe të mëdha. Portalb.mk bisedoi me Magjistren e Mjedisit Jetësor, Zibixhete Elezi e cila na foli më shumë për këtë problematikë në aspektin ekologjik, pasojat që sjell kjo ndotje dhe mënyrat se si mund të kontribuohet në zgjidhjen e këtij problemi.

Mbeturina të shumta, shishe plastike, dërrasa, mjete ndërtimore dhe shumë të tjera janë vetëm disa nga mbeturinat që mund të shihen në shtratin e Lumit Shkumbin, e situata është më kritike në rrjedhën e poshtme të lumit, gjegjësisht në Lagjen Dardania.

Sipas ekologes Zibixhete Elezi, Lumi Shkumbin në rrjedhën lart i takon kategorisë së parë që nënkupton se është i pastër për përdorim, por gjatë dhe në dalje nga qyteti shkaku i ndotjes dhe me futjen e materialeve të huaja, qoftë ato në formë të ngurtë, të lëngshme ose dhe të gaztë, që hyjnë në lum e ndryshon ngjyrën, shijen, temperaturën dhe pastërtinë e ujit, prandaj edhe cilësia e ujit është në kategorinë e tretë ose të katërt.

Kjo ndotje e lumit, në vete sjell edhe pasoja apo rreziqe pasi barten baktere të ndryshme dhe ekziston mundësia të përhapen sëmundje të ndryshme.

“Ndotja e lumit përmes tjerash është edhe bartës dhe përcjellës shumë i madh i baktereve, ku pikërisht ky ujë kështu nëse depërton në sistemin e Ujësjellësit mund të jetë shkaktar kryesor i sëmundjeve masive të njerëzve në formë të epidemisë, sigurisht edhe në formë të sëmundjeve të lëkurës. Rreziqet janë të shumta sepse pikërisht uji është i pranishëm çdo kund si në ushqimin që ne e konsumojmë, ujin që e pimë, në teshat tona, pra gjithkund rreth nesh, sepse edhe ne jemi pjesë e saj.” tha Elezi.

Ndotja e Lumit në vetvete përbën rrezik më të madh pasi lumi lëviz dhe mundësitë e përhapjes së rreziqeve janë më të larta.

“Vetë jemi dëshmitarë se për fat të keq lumi ynë është shndërruar në deponi lëvizëse, në të cilën deponi mund t`i gjesh të gjitha llojet dhe kategoritë e mbeturinave. Gjithashtu qyteti ynë nuk ka as stacion për filtrimin e ujërave të zeza, pikërisht stacioni për pastrimin e ujërave të zeza do ta mbronte botën ujore dhe bimore në dhe pranë lumit me këtë do të kishte kontribuar edhe në përmirësimin e kualitetit të ujit në përgjithësi, ku pikërisht përmes ujërave të zeza në lum depërtojnë një sasi shumë e madhe e pesticideve, detergjenteve për mbajtjen e higjienës që përdorin amvisëritë të cilat derdhen drejtpërdrejtë në lum, duke shkaktuar prishjen e balancit natyror të lumit.” tha Elezi.

Elezi theksoi se vetëdijesimi i qytetarëve është një ndër faktorët kryesor që do të ndikonte në parandalimin ose të paktën në zvogëlimin e ndotjes së lumit.

“Duhet të punohet që nga brezat e rinj, përmes aktiviteteve që do t`ua kishim mbjell në zemër dashurinë për pastërtinë dhe parandalimin e ndotjes, me këtë do të ngulitet në mendjen e të gjithë neve se lumi nuk është deponi por burim jete.” tha Elezi.

Sipas Elezit të gjithë mund të kontribuojmë në zvogëlimin e ndotjes së lumit, edhe atë nëpërmjet shumë aktiviteteve.

“Për ta zvogëluar ndotjen e lumit do të mund të kontribuonim të gjithë ne përmes pakësimit të përdorimit të produkteve për një përdorim, të pakësojmë përdorimin e plastikës, të mundohemi të bëjmë riciklimin, të paktën të atyre materieve që mund të riciklohen këtu tek ne, të përdorim mjete për mirëmbajtjen e higjienës që janë më miqësor me mjedisin, të mos hedhen barnat ( ilaçet) dhe mbeturinat medicinale në lum. Të organizohen aksione dhe iniciativa për mbjelljen e drunjve aty ku ka mundësi pranë shtratit të lumit, sepse pikërisht drunjtë kontribuojnë në zvogëlimin e ndotjes dhe e rregullojnë cilësinë e ujit të lumit.” tha Elezi.

Ndryshe, javën e kaluar gjegjësisht me 7 shtator, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi shënoi fillimin e rregullimit të shëtitores të shtratit të lumit Shkumbin nga ura te bulevardi Industrial deri te Mulliri në Çarshi të Epërme. Nga ana tjetër, pjesa e lumit që gjendet ndër urën e Bulevardit Industrial, është në gjendje të shkatërruar me shtrat të ngushtuar dhe shumë mbeturina, për këtë Arifi për Portalb.mk disa ditë më heret tha se shumë shpejtë do të fillojnë punët edhe për këtë pjesë.

Kështu duket pjesa e Lumit Shkumbin nën urën e bulevardit Industrial:

Mbeturinat në Lumin Shkumbin Tetovë, foto: Portalb.mk/Fisnik XheliliMbeturinat në Lumin Shkumbin Tetovë, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili

Rrikujtojmë se Komuna e Tetovës dy herë ka ndarë mjete për pastrimin e shtratit të lumit. Në dhjetor Komuna e Tetovës pagoi 32 mijë euro për pastrimin e shtratit të lumit. Edhe pse nga Komuna e Tetovës thanë se kishte përfunduar pastrimi, kamera e gazetarit të Portalb.mk dhe banorët dëshmuan të kundërtën. Më pas, Komuna e Tetovës në muajin mars përsëri nënshkroi një kontratë ne vlerë prej 32 mijë eurosh me kompaninë “Euro Invest-ing” për pastrimin e shtretërve të lumenjve në Tetovë me rrethinë.

Komuna e Tetovës dhe Inspektorati Ekologjik ende nuk kanë dalë me një strategji për këtë problem. Portalb.mk me vite ka shkruar për fenomenin e mosgjetjes së autorëve të hedhjes dhe djegies së mbeturinave në Tetovë. Qytetarët denoncojnë në “E-report” për arsye se numri i vendosur në uebfaqen e Komunës (0800-55-043) për denoncimin e këtyre rasteve, është jofunksional.

Të fundit