Të tjera lajme

ERIKSEN JASHTË RREZIKUT PËR JETËN!

I gjithë opinioni futbollistik mbrëmë u trondit për një moment, pasi nga Danimarka erdhën lajme shqetësuese. Mesfushori me përvojë 34-vjeçare, Kristian Eriksen, u rrëzua papritur në fushë gjatë ndeshjes miqësore mes Danimarkës dhe Ukrainës, e zhvilluar në Odense.

Takimi miqësor Danimarkë -Ukrainë u ndërpre menjëherë në minutën e 65-të, kur Eriksen u rrëzua në fushë, ndërsa pas disa minutash paniku, Federata Daneze e Futbollit qetësoi opinionin duke konfirmuar se futbollisti është i vetëdijshëm dhe jashtë rrezikut për jetën.

Eriksen i cili po luante ndeshjen e tij të 151-të me kombëtaren daneze, pësoi arrest kardiak edhe gjatë Kampionatit Evropian 2021. Atëherë jeta e tij u shpëtua falë reanimimit të shpejtë, ndërsa më pas iu vendos një defibrilator i implantuar (ICD), i cili i mundësoi vazhdimin e karrierës te Brentfordi, Manchester Unitedi dhe që nga vera e kaluar te Volfsburgu gjerman, ku këtë sezon zhvilloi 34 ndeshje.

Pikërisht ai aparat rezultoi vendimtar edhe mbrëmë.

Mjeku zyrtar i përfaqësueses daneze, Morten Boesen, menjëherë pas ndërprerjes së ndeshjes dha detajet që sollën lehtësim të madh te opinioni publik. Ndryshe nga drama e vitit 2021 në Kopenhagë, këtë herë Eriksen u rikuperua shumë shpejt në vetë fushën e lojës.

Ashtu si pesë vite më parë në Kopenhagë, futbollistët e Danimarkës dhe Ukrainës treguan unitet dhe respekt të jashtëzakonshëm.

Të dy ekipet formuan një rreth mbrojtës rreth Eriksenit gjatë kohës që po merrte ndihmën mjekësore, për ta mbrojtur nga kamerat dhe publiku, ndërsa sigurimi solli menjëherë mbulesa të zeza. Pasi Eriksen u largua i vetëdijshëm me ambulancë drejt spitalit, gjyqtari vendosi ndërprerjen përfundimtare të ndeshjes. Futbollistët dhe stafet teknike u përqafuan në qendër të fushës dhe u përshëndetën me duartrokitje të forta nga publiku.

Të fundit