11/10/2024
16.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Fëmijët po shfaqin probleme me shikimin dhe deformitete në trup

Thuajse çdo i dyti fëmijë që kalon kontrollin sistematik shkollor, posaçërisht në klasë të parë dhe të tretë ka probleme me shikimin dhe deformitete në trup. Mjekët shprehën të shqetësuar për numrin e lartë të rasteve të këtilla prandaj kujtojnë prindërit se çdo udhëzim i dhënë nga ana e tyre për kontrolle të mëtutjeshme të merret seriozisht. Sipas mjekes, Albina Bektashi Qerimi problemet e theksuara nisin që në moshën katërvjeçare, që është mosha më delikate për paraqitjen e këtyre deformiteteve.

“Disa fëmijë kanë probleme me njërin sy mirëpo ka edhe prej atyre që kanë probleme me të pamurit dhe strabizëm të njërit apo të dy syve. Gjithashtu vazhdon kontrolli me boshtin kurrizor dhe këtu kemi një deformitet shumë të shtuar, shumë të shpeshtë, mos ta teproj me thënë mbi 90 % e fëmijëve por aty diku qëndron. Çdo i dyti fëmijë është me skoliozë ose me kifozë. Është një shqetësim tepër i madh. Gjatë praktikës time 10 vjeçare që i zbatoj këto kontrollet sistematike, në kohën para pandemisë dhe pas pandemisë një numër dukshëm i rritur i rasteve me probleme të shtyllës kurrizore”, deklaroi Albina Bektashi Qerimi, mjeke.

Pavarësisht shqetësimeve të mjekëve, fëmijët pranojnë se për disa orë shfrytëzojnë telefonat e mençur për lojëra të ndryshme. Mirëpo, disa prej tyre nuk përjashtojnë edhe aktivitetet fizike dhe lojërat sportive.

“Çfarë lojëra luan? Të ndryshme. Sipas teje, sa kohë duhet ta mbash telefonin? Dy orë. A është shumë? Mendoj që jo”, tha një fëmijë.

“E dua më shumë futbollin. A luan jashtë me shokët? Po. A duhet më shumë ta mbash telefonin ose të lozish jashtë me shokët? Të lozi jashtë, kjo është më e mira për mua”, u shpreh një fëmijë.

Gjithashtu, mjekët apelojnë që fëmijët që sa më pak të shfrytëzojnë pajisjet teknologjike dhe të mos qëndrojnë në ambiente të mbyllura. Bektashi Qerimi u rekomandon prindërve që në bazë të mundësive t’i regjistrojnë fëmijët e tyre nëpër aktivitete të ndryshme fizike ose ushtrimet e caktuara nga mjeku t’i kryejnë në shtëpi. /Alsat.mk

Të fundit