FIFA ka nisur një hetim disiplinor ndaj incidenteve që ndodhën pas finales së Kupës së Botës 2026, ku Spanja mposhti Argjentinën me rezultat 1:0, ndërsa disa futbollistë argjentinas rrezikojnë pezullime të gjata.
Pamjet pas përfundimit të ndeshjes në stadiumin “MetLife” në Nju Jersey shfaqën përplasje mes lojtarëve të të dyja kombëtareve. Sipas raportimeve, Leandro Paredes dhe Nahuel Molina ishin ndër protagonistët kryesorë të incidenteve. Paredes dhe Thiago Almada rrëzuan në tokë mesfushorin spanjoll Gavi, ndërsa Paredes u pa gjithashtu duke e kapur për fyti mbrojtësin Eric Garcia. Nga ana tjetër, Molina dyshohet se goditi me grusht Rodrin, ndërsa Nicolas Otamendi pati një përplasje të ashpër verbale me mesfushorin spanjoll.
Gjatë ndeshjes, Enzo Fernandez u përjashtua me karton të kuq pas dy kartonëve të verdhë, ndërsa fillimisht u raportua se edhe Paredes ishte ndëshkuar pas fishkëllimës përfundimtare. Megjithatë, FIFA sqaroi se kartoni i kuq për Paredes nuk figuron në raportin zyrtar të arbitrit Slavko Vinçiç, duke e hequr atë nga evidencat disiplinore.
Pavarësisht kësaj, organi qeverisës i futbollit botëror ka konfirmuar hapjen e një procedure disiplinore. Në një deklaratë zyrtare, FIFA bëri të ditur se, pas shqyrtimit të raporteve të ndeshjes dhe në përputhje me nenin 36 të Kodit Disiplinor, është emëruar një prokuror disiplinor dhe etik për të hetuar shkeljet e mundshme që lidhen me incidentet pas finales. Vendimi përfundimtar do të merret pasi të përfundojë raporti i hetimit.








