Të tjera lajme

MESSI ME MESAZH PAS FINALES: DUHET KOHË QË PLAGA TË SHËROHET!

Kapiteni i përfaqësueses së Argjentinës, Lionel Messi, ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale një ditë pas finales së Kampionatit Botëror.

Argjentina u mposht nga Spanja me rezultat 1:0 pas vazhdimeve në finalen e zhvilluar të dielën mbrëma në Nju Xhersi, duke mos arritur ta mbrojë titullin botëror të fituar katër vite më parë në Katar.

“Dhimbja është e madhe dhe do të duhet kohë që kjo plagë të shërohet” – shkruan Messi në Instagram, postim ky që për një kohë të shkurtër mblodhi miliona klikime.

Messi ka falënderuar të gjithë ata që kanë mbështetur kombëtaren e Argjentinës teksa ka uruar edhe Spanjën për titullin e kampionit të botës.

“Sot është e vështirë ta vlerësojmë plotësisht atë që arritëm, por ky ekip arriti në dy finale radhazi të Kupës së Botës. Ju falënderoj nga zemra për çdo mesazh dhe urim. Edhe një herë arritëm të bashkohemi si komb dhe të ndajmë krenarinë e madhe që jemi argjentinas. Gjithashtu dua ta uroj Spanjën për fitimin e titullit” – shkroi Messi.

Ende nuk është e qartë nëse njëri prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave do t’i japë fund karrierës së tij me kombëtaren argjentinase.

Messi (39 vjeç) e përfundoi Botërorin si golashënuesi i dytë më i mirë me tetë gola, ndërsa regjistroi edhe katër asistime.

Të fundit