Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për media njoftoi se grupi parlamentar i partisë po tërhiqet nga debati në komision lidhur me huamarrjen e re të shtetit.
Filipçe akuzoi Qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski se po e çon shtetin në “skllavëri borxhi”, duke theksuar se po planifikohet një huamarrje e re prej 260 milionë eurosh me normë të lartë interesi.
Sipas tij, mjetet nuk përdoren për përmirësimin e gjendjes në shtet, por përfundojnë në tenderë partiakë dhe te kompani të afërta me pushtetin. Ai deklaroi se borxhi shtetëror për dy vite është rritur për rreth dy miliardë euro dhe se Qeveria nuk ka strategji të qartë ekonomike.
VENKO FILIPÇE – Kryetar i LSDM-së
“Borxhi total po rritet në mënyrë të rrezikshme. Për vetëm dy vite, borxhi i shtetit është rritur për 2 miliardë euro. Janë para që do t’i paguajnë gjeneratat e ardhshme. Borxhi total, i cili ishte 8.5 miliardë euro në vitin 2024, tani është afër 11 miliardë eurove. Shtrohet pyetja: a ka kjo qeveri busull? A ka ide, a ka vizion se ku dhe si po e çon shtetin?”
Filipçe gjithashtu akuzoi kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, për shkelje të Rregullores gjatë caktimit të seancave të Komisionit për Financim dhe Buxhet, të cilin e udhëheq deputetja Sanja Lukarevska.
Nga LSDM paralajmëruan se do të dorëzojnë kallëzim penal dhe interpelancë kundër Gashit./Tv Koha/







