Tetova u zgjua në ditën e dytë të festës së Fitër-Bajramit, me rrugë të boshatisura dhe me shumë pak njerëz që frekuentonin pjesët qendrore të qytetit.
Duket si “qetësi para furtunës” mbase për shkak se qytetarët në ditën e parë të Bajramit kanë nevojë për të pushuar, shkaku se janë zgjuar herët për të kryer rritet fetare, por në orët e pasditës pritet të rritet fluksi i lëvizjeve.
Shumica do të vazhdojnë vizitat e Bajramit nëpër familje që nuk kishin mundësi t`i bëjnë gjatë ditës së parë, shkaku se Bajrami rastisi në Ditën e Xhumasë.
Në ditën e dytë të Festës së Fitër Bajramit, Tetova u zgjua me temperature të ulëta. Sipas metereologëve, mot më i ftohtë ka mbretëruar në Kodrën e Diellit, me minus 7 gradë Celsius.
Por, bashkë me Fitër-Bajramin, mbërriti edhe stina e Pranverës.
Nisi dje në orën 15.46 në hemisferën veriore, kurse në atë jugore filloi vjeshta.
Sipas astronomëve, pranvera fillon me ekuinoksin pranveror — momenti kur dita dhe nata janë pothuajse të barabarta kudo në planet. Kjo është pika kur Dielli “kalon” mbi rrafshin qiellor të ekuatorit dhe, që nga dje, në hemisferën veriore fillon të mbizotërojë drita.
Pranvera do të zgjasë 92 ditë, deri më 21 qershor në orën 10.24, kur sipas kalendarit nis vera.
Kjo periudhë karakterizohet me rritjen e temperaturave, ditë me më shumë diell dhe me gjelbërim intensiv të natyrës.
Më 29 mars do të nis edhe llogaritja verore e kohës. Fundi i shumëpritur i dimrit është afër, por moti në këtë periudhë di të surprizojë me ulje të ndjeshme të temperaturave por edhe me reshje të dëborës.







