29/05/2024
10.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Frika nga humbja e ndikimit në pushtet dhe mbajtja në kontroll janë arsyet pse nuk është miratuar Ligji për Shërbim të Lartë udhëheqës

Mungesa e vullnetit politik, frika nga humbja e ndikimit në pushtet dhe mbajtja në kontroll e lojalitetit të anëtarësisë, sipas ekspertëve, janë arsyet pse nuk është miratuar Ligji për Shërbim të Lartë udhëheqës, i cili premtohet prej vitit 2017-të. Ligji, miratimin e të cilit e kërkonte dhe Komisioni Evropian, parashikonte vendosjen e një filtri për të parandaluar emërimet partiake nëpër drejtori dhe sekretariate pa kualifikim përkatës.

“Qëllimet ishin që të zbutet ose të pengohet lidhja direkte klienteliste të të interesuarve – unë do të ju siguroj votues ose ndikim ose diçka tjetër që mundem ta sjellë si kandidat, nëse më vendosni mua si drejtor, që të siguroni stabilitet në mandatin tuaj politik”, tha Dragan Gocevski, profesor universitar.

“Subjektivisht, pikëpamja ime është se partitë politike sot nuk ndjehen të sigurta të dalin në treg, në zgjedhje duke ofruar ide. Të gjithë duam ide, premtime, angazhime, programe, megjithatë ajo që ende duket se është aktuale është se partitë politike nëse nuk kanë siguri konkrete për anëtarësinë e tyre si mënyrë se si ta fitojnë lojalitetin e tyre, resurset e tyre, e ajo është nëpërmjet funksioneve publike dhe jo vetëm punësime në pjesën e nëpunësve, por nëpërmjet funksioneve publike”, shtpi ai.

Sipas ish anëtarit të Antikorrupsionit, Nuri Bajrami, miratimi i këtij ligji ishte i nevojshëm pasi nuk bëhej asnjë hap për të heq dorë nga ndikimi dhe përzierja politike në përzgjedhjen e kuadrove siç janë drejtorët dhe sekretarët ekzekutiv në sektorin publik.

“Prandaj tash vijmë në një situatë ku ne duhet të gjejmë një mekanizëm tjetër si ky ligj për të penguar shkeljen e cila me ligjet materiale për fusha të ndryshme veçmë rregulluar. Që do të thotë mungon vullneti politik, ndodh keqpërdorimi i ligjeve materiale dhe nuk ka faktikisht rrugë apo nuk ka kthim nga ky inercion i shkeljes së ligjeve se po të kishte ndodhur sipas ligjeve materiale nuk do të kishte nevojë për një ligj të tillë”, u shpreh Nuri Bajrami, ish anëtar i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit.

Ligji për Shërbim të lartë udhëheqës ka mbetur pezull në Kuvend, pasi që përbërja parlamentare në largim nuk e miratoi pakon e ligjeve reformuese në administratë. Për nevojën e miratimit të këtij ligji, i cili ka për qëllim të pengojë emërimet partiake pa kualifikim, ka alarmuar dhe sektori civil./Alsat.mk

Të fundit