17/06/2024
18.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Gjykata refuzon 6 ankesa, Frontit Europian i rrezikohen dy deputetë

Në 5 vendvotime në Zonën 5 zgjedhore dhe në 1 vendvotim në Zonën 6 zgjedhore do të ketë rivotim. Konkretisht, në Dollnen, në Krushevë, në Manastir, Ohër, Strugë dhe në Llërcë të Zhelinës do të përsëritet votimi, shkruan gazeta KOHA.

Gjykata Administrative mbrëmë vonë ka hedhur poshtë gjashtë asnkesa të koalicionit Fronti Europian, e cila në këtë gjykatë i ka kundërshtuar vendimet e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, pasi ishin pranuar ankesat e koalicionit VLEN me pretendimin se ka patur parregullsi zgjedhore.

Me këto vendime të Gjykatës Administrative, do të rrezikohet deputeti i katërt i Frontit Europian në Zonën 5 zgjedhore, konkretisht deputeti Ismail Jahoski, si dhe deputeti i nëntë i Frontit në Zonën 6 zgjedhore, Fatmire Isaku.

Në Zonën e 5 zgjedhore, LSDM-së i duhet vetëm 110 vota për t’ia marrë deputetin Frontit, ndërsa VLEN-i, nëse merr 370 vota më shumë se Fronti, mund ta marrë deputetin e tetë dhe Fronti ta humb deputetin e nëntë. Në këtë rast, rezultati në Zonën 6 zgjedhore do të mbetej 8-8 deputetë.

Në Zonën 5 zgjedhore, rivotim ka kërkuar VNRO, LSDM dhe Levica, ndërsa në Zonën 6 zgjedhore, rivotim ka kërkuar VLEN-i.

Në vendvotimet që pritet të ketë rivotim, nuk ka vota shqiptare, por vetëm maqedonase, ndërsa në Llërcë – fshatin e lindjes së Bilall Kasamit, VLEN ka fituar gati trefishin më shumë sesa Fronti Europian.

Ndryshe, ditë më parë, përveç Frontit Europian, edhe kryeministri Talat Xhaferi akuzoi për inzhenering zgjedhor të kryear nga VMRO-LSDM-VLEN në KSHZ, ndërsa akuza të njëjta drejtoi edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Fronti Europian ndërkohë ka parashtruar padi penale ndaj anëtarëve të KSHZ-së, me pretendimin e falsifikimit të rezultatit zgjedhor. (koha.mk)

Të fundit