09/09/2024
17.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Gjykimi për aksidentin e “Llaskarcës” vazhdon me ekspertin e komunikacionit

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot do të mbajë seancë gjyqësore për aksidentin e  autobusit të “Durmo Turs”, i cili ka ndodhur në Llaskarcë (periferi të Shkupit) në shkurt të vitit 2019-të dhe në të cilin kanë humbur jetën 16 persona dhe 37 të tjerë janë lënduar. Seanca do të vijojë me parashtrimin e pyetjeve të avokatit të shoferit të autobusit ndaj ekspertit, i cili ka qenë pjesë e ekipit që e ka përgatitur superekspertizën e komunikacionit, njofton Portalb.mk.

Prej 30 majit, tanimë 13 seanca me radhë po pyeten ekipi i ekspertëve që e ka përgatitur superekspertizën e komunikacionit të porositur nga Gjykata Penale e Shkupit. Lupço Micevski, avokat i shoferit të autobusit të aksidentuar, tanimë 7 seanca seanca vazhdon me pyetjet e tij ndaj ekspertit. Paraprakisht, 3 seanca ka parashtruar pyetje prokurori, Darko Jakimovski.

  • 30 maj – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 6 qershor – u anulua seanca
  • 8 qershor – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 15 qershor – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 13 korrik – Prokuroria ka parashtruar pyetje
    Pushim veror
  • 12 shtator – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 14 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 19 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 21 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 23 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 12 tetor – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 19 tetor – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 31 tetor – Vazhdon me parashtrimin  pyetjeve avokati i shoferit

Sipas dinamikës, së deritanishme, pasi avokati i shoferit të mbarojë me parashtrimin e pyetjeve, më pas, duhet të parashtrojnë pyetje avokatët e “Durmo Tursit”. Pastaj, do të duhet të jepen fjalët përfundimtare nga palët dhe krejt në fund të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë.

Në bisedë jozyrtare me avokatët dhe palët, ata shpresojnë që deri në dhjetor të mbarojë procesi i shkallës së parë. Nga ana tjetër, në kalendarin e gjykimeve të Gjykatës Penale, përveç seancës së sotme janë caktuar edhe 6 termine tjera. Termini i fundit për seancë gjyqësore është caktuar për më 14 dhjetor.

Superekspertiza e komunikacionit, ashtu sikur superekspertiza makinerike, është përgatitur me urdhër të gjykatës, ekspertizat paraprake kanë pasur kontradikta mes tyre. Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, fajin ia hedhin shoferit të autobusit, ndërkaq avokati i shoferit, pretendon që fajtore është kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike.

Sipas dy ekspertizave, autobusi ka pasur parregullsi teknike, por këto parregullsi nuk kanë qenë shkaktar për aksidentin. Sipas tyre, shoferi edhe pse ka pasur mundësi, nuk i ka ndërmarrë veprimet e duhura për ta ndaluar autobusin, gjegjësisht nuk ka frenuar.

Prokurori konteston superekspertizat, ashtu sikur edhe familjarët e viktimave, ndërkaq përfaqësuesit e kompanisë “Durmo Turs”, i kane hedhur këto pretendime, duke theksuar se bëhet fjalë për ekspertizë e cila nuk është porositur prej tyre, por prej gjykatës.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

Të fundit