Të tjera lajme

Mexhiti: Shëndeti i qytetarëve mbetet prioritet, ekipe mjekësore do të dalin në terren për shkak të temperaturave të larta

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njoftoi se mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe parandalimi i rreziqeve nga temperaturat e larta mbeten prioritet i institucioneve.

Në kuadër të platformës “Çairi në ritmin e shëndetit”, ai zhvilloi një takim koordinues me përfaqësues të institucioneve shëndetësore, përfshirë Gjinekologjinë, Klinikën e Fëmijëve, Qendrën e Shëndetit Publik, Shtëpinë e Shëndetit Shkup dhe Kryqin e Kuq.

Sipas Mexhitit, ekipet mjekësore do të jenë të pranishme në Parkun e Çairit, Parkun Rinia në Fushë Topanë dhe Çarshinë e Vjetër, ku do të ofrojnë kontrolle bazë shëndetësore, shpërndarje uji, këshilla profesionale dhe materiale informuese për mbrojtjen nga temperaturat e larta.

Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet fëmijëve, grave shtatzëna, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike, me rekomandime për hidratimin, ushqyerjen dhe mbrojtjen gjatë ditëve të nxehta.

“Shëndeti i qytetarëve është prioriteti ynë. Do të vazhdojmë me aktivitete parandaluese dhe informuese për ta kaluar sa më sigurt këtë periudhë të verës”, theksoi Mexhiti.

Të fundit