Një rimorkio është përmbysur mëngjesin e sotëm në autostradën Demir Kapi – Gjevgjeli, duke shkaktuar dëme materiale dhe vështirësi të përkohshme në qarkullim.
Sipas njoftimit të SPB – Veles, aksidenti është raportuar rreth orës 08:00 në DPB – Negotinë. Kamioni i tipit “Mercedes” me targa të Serbisë drejtohej nga P.Z. (58), shtetas i Serbisë, i cili humbi kontrollin e mjetit, me ç’rast rimorkioja u përmbys në rrugë.
Nga aksidenti nuk ka persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Një ekip i DPB – Negotinë kreu këqyrjen në vendin e ngjarjes. Gjatë ndërhyrjes, trafiku u zhvillua vetëm në një korsi, ndërsa u normalizua plotësisht në orën 10:50.







