Të tjera lajme

HOXHA: RASTI I GOSTIVARIT INCIDENT SERIOZ – NUK DO TË KETË FSHEHJE TË PËRGJEGJËSISË

Ndotjen e rrjetit të ujësjellësit në Gostivar, Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, e ka cilësuar si incident të rëndë, nga i cili është rrezikuar shëndeti i mijëra qytetarëve.

Sipas Hoxhës, pasi të qartësohen të gjitha rrethanat, me patjetër duhet të ketë përgjegjësi penale dhe morale për personat përgjegjës.

“Dëshiroj t’i siguroj qytetarët e Gostivarit se Qeveria po i ndërmerr të gjitha masat në kuadër të kompetencave të saj dhe kështu do të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë të rastit. Rasti i ndotjes së ujësjellësit në Gostivar është një incident serioz, i cili e rrezikoi drejtpërdrejt shëndetin e mijëra qytetarëve. Kur rrezikohet shëndeti i qytetarëve, të nderuar gazetarë, nuk guxon të ketë kompromis, as fshehje të përgjegjësisë.”

Hoxha rikujtoi se furnizimi me ujë të pijshëm, mirëmbajtja e rrjetit të ujësjellësit, si dhe mbledhja e trajtimi i ujërave të zeza janë kompetencë e komunave dhe e ndërmarrjeve publike komunale.

“Pushteti lokal është linja e parë e përgjegjësisë për funksionimin e sigurt të këtyre sistemeve, si dhe për krijimin dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtjes sanitare rreth burimeve të ujit. Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbetet plotësisht e përkushtuar në sigurimin e kushteve për një infrastrukturë komunale më cilësore. Aktualisht po zbatojmë ciklin më të madh të investimeve në këtë fushë, me qindra projekte infrastrukturore në komuna në të gjithë vendin, që synojnë përmirësimin e furnizimit me ujë, sistemeve të kanalizimeve, impianteve të trajtimit dhe mbrojtjen e mjedisit.”

Për ministrin Hoxha, institucionet, si në nivel lokal, po ashtu edhe qendror, e kanë për obligim të mbrojnë mjedisin, por mbi të gjitha të mbrojnë shëndetin e qytetarëve. Ai kërkoi hetim të shpejtë dhe të plotë për rastin, si dhe përgjegjësi konkrete për ndotjen e rrjetit të ujësjellësit në Gostivar.

Të fundit