27/05/2024
11.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

INTEGRIMI NË BE/Ahmeti optimist, Kovaçevski e Mickoski në kërkim të kompromisit!

Ahmeti i bëri thirrje VMRO-DPMNE-së që të solidarizohet për integrimin e shtetit në BE. Në prag të takimit Mickoski – Kovaçevski, po rritet presioni nga blloku opozitar për të mos pranuar ndryshimet kushtetuese

Sghkup, 6 qershor – Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, është optimist se vendi do të jetë anëtar i Bashkimit Evropian për 3-4 vjet. Ai i bëri thirrje VMRO-DPMNE-së që të solidarizohet për integrimin e shtetit në BE. Ai beson se partia opozitare ka kapacitete si programor po ashtu edhe kadrovike për të kontribuar në zhvillimet politike dhe çështjet gjeopolitike të rëndësishme për shtetin dhe rajonin, shkruan PRESSonline.al

“Vetëm së bashku mund të jemi më të suksesshëm në sfidat që na presin”, tha lideri i BDI-së në debatin “Fronti Evropian” dhe më pas në fjalimin e tij me rastin e 21 vjetorit të themelimit të partisë që u mbajtë të hënën në hotelin “Aleksandar Pallas” në Shkup.

“Nëse e kemi menduar ndonjëherë se do të na duheshin 10 vjet për t’u bërë anëtare e BE-së, tani besoj se pas 3-4 vitesh do të jemi anëtare të BE-së, sepse rrethanat kanë ndryshuar në favor të përshpejtimit të kësaj kohe”, thotë Ahmeti dhe shton: “Unë jam optimist, kam qenë gjithmonë dhe do të mbetem. Pa ngritur flamurin e bardhë. Kemi kaluar shumë përballje dhe vështirësi dhe kemi arritur të përfundojmë me sukses kapitujt e rëndësishëm si për shtetin ashtu edhe për stabilitetin. Optimistët më të mëdhenj nuk e kishin menduar se do të bëheshim ndonjëherë anëtar i NATO-s, por tani është realitet. Edhe optimistët e mëdhenj nuk do të besonin se Maqedonia si shtet multietnik mund të jetë shembull për zgjidhjen e problemeve”.

Kreu i BDI-së konsideron se duhet të bëhen ndryshime kushtetuese dhe për këtë duhet pajtim mes të gjitha subjekteve që kanë përgjegjësi për fatin e shtetit. “Pajtimi mund të arrihet, vihen të gjitha interesat e shtetit, e ardhmja e brezave. Fronti për Europë nuk ka ngjyrë, thelbi i tij është e ardhmja”, tha kreu i BDI-së. Sipas tij, ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhin, siç ndodhi me Marrëveshjen e Prespës, ashtu duhet të ndodhë edhe me Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë.

Çfarë do të sjellë takimi Kovaçevski – Mickoski?

Thirrjet e Ahmetit janë në prag të takimit të paralajmëruar të kryesisë së kryetarit të LSDM-së dhe kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe liderit të opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, që duhet të mbahet të mërkurën në Klubin e deputetëve. Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se ia ka lënë partisë opozitare që të zgjedhë formatin e takimit. Një nga temat që do të diskutohet do të jetë vendimmarrja për integrimet evropiane të vendit dhe e dyta është aktiviteti i të gjithë aktorëve politikë në vend në raport me fqinjët.

“Ftesa i është dërguar VMRO-DPMNE-së, në të cilën është shumë e qartë se duhet të zgjedhin se në cilin format duan të jetë takimi – a duhet të jetë një plus zero, një plus një, një plus dy, varësisht nëse ata do t’i besojnë njëri-tjetrit, që të bisedojnë para njëri-tjetrit”, ka deklaruar Kovaçevski, prcjell PRESSonline.al

Sipas tij, në vend ekzistojnë dy koncepte – njëri është koncept për një Maqedonin e Veriut europiane dhe i dyti është koncept i udhëhequr nga “Levica” dhe që është për Maqedoninë e Veriut të izoluar. Shpresoj se VMRO-DPMNE-ja do të ketë sukses që ta kapërcejë veten dhe së paku një herë në këto 32 vite të Maqedonisë së pavarur të mbështes një vendim me të cilin vendi do të integrohet pas integrimit në NATO dhe BE. Pra, përfundimet janë shumë të thjeshta. Nga njëra anë kemi integrimin në BE dhe nga ana tjetër izolimin. Dhe shpresoj që ajo që duan të gjithë qytetarët do të zgjidhet nga të gjithë politikanët, e ajo është integrimi i shtetit në BE”, thotë kryeministri.

Në ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar në Qeveri propozim-iniciativën për ndryshime kushtetuese, e cila duhet të shqyrtohet në seancë. Për momentin është e pasigurt nëse amendamentet kushtetuese do të pranohen në Parlament, duke pasur parasysh se opozita VMRO-DPMNE njofton se nuk do t’i mbështesë. Për të kryer ndryshimet kushtetuese kërkohet një shumicë prej dy të tretash ose të paktën 80 deputetë.(PRESSonline.al)

Të fundit