Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit sonte ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër tre personave, të dyshuar për veprën penale “Vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës, të shkaktuara përmes ndotjes së ujit të pijshëm”.
Të dyshuarit, si bashkëkryerës, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së NP “Komunalec” – Gostivar, udhëheqësit teknik të Sektorit për Punë Teknike dhe udhëheqësit të Njësisë për ujësjellës, kanalizim dhe punë ndërtimore, me një lëndë të dëmshme e kanë bërë të papërdorshëm ujin e pijshëm në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe një pjesë të fshatrave përreth.
Më 25 qershor, ata u kanë dhënë urdhër punonjësve të ndërmarrjes që të vendosin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur me substanca të dëmshme, pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm, me qëllim testimin e presionit të ujit.
Më 16 korrik, gjatë një kontrolli në vendngjarje, është konstatuar se dy nga pompat zhytëse ishin ende në funksion dhe, përmes gypave shtytës të vendosur nëpër hapjen e tejmbushjes, transportonin ujë me substanca të dëmshme – baktere koliforme – nga kanali i hapur në dhomën ku ndodhet uji i pijshëm, i cili duhet të ketë cilësi të përcaktuar në një sistem të mbyllur.
Si pasojë, në sistem ka ardhur deri te përzierja, përkatësisht transferimi i ujit të ndotur nga kanali në gypin kryesor të furnizimit me ujë.
Me urdhër të prokurorit publik, Instituti i Shëndetit Publik ka kryer analiza të mostrave të marra nga uji sipërfaqësor i kanalit të hapur dhe ka konstatuar se uji është shumë i ndotur dhe nuk mund të përdoret për asnjë qëllim, për shkak të pranisë së 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml.
Në mostrat e marra nga burimi i kapur të ujit është konstatuar gjithashtu numër i shtuar i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa janë gjetur 39 cfu/100 ml.
Për shkak të nivelit të lartë të ndotjes, uji është bërë i papërdorshëm dhe i pasigurt për konsum dhe përdorim nga njerëzit.
Gjithashtu, është analizuar një mostër uji e marrë nga një çezmë në Rrugën JNA në Gostivar, ku është konstatuar përqendrim i lartë i klorit, konkretisht 1,1 mg/l klor rezidual, që tejkalon vlerat e lejuara sipas rregullores në fuqi, e cila parashikon interval 0,2–0,3 mg/l, ndërsa nuk lejohet të kalojë 0,5 mg/l.
Duke pasur parasysh se pasojat e shkaktuara nga ndotja nuk mund të eliminohen lehtë, prokurori publik vlerësoi se ekzistojnë baza të arsyeshme për dyshimin se është kryer kjo vepër penale.
Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit vazhdon të ndërmarrë veprime hetimore për zbardhjen e plotë të rastit. Të dyshuarit janë privuar nga liria, ndërsa gjatë ditës së nesërme prokurori publik do të vendosë nëse dhe cilat masa sigurie do t’i propozojë gjykatës ndaj tyre.








