Mjekët kinezë i kanë regjistruar 195 raste të personave që janë infektuar sërish me koronavirusin e ri në Vuhan, tregojnë të dhënat të cilat sot janë prezentuar nga Komisioni shtetëror për higjienë dhe shëndetësi në Kinë. Në dokument nuk jepet shkaku për prekjen e sërishme nga i njëjti virus.
Të gjithë pacientët, e shëruar nga koronavirusi, do të duhet sërish të vihen në karantinë dyjavore pasi është përcaktuar se pjesa më e madhe e tyre edhe më tej janë bartës të virusit, edhe pse nuk është e ditur nëse janë të infektuar.
Zao Xhianping, mjeku i obliguar për ekipe operative të cilët luftojnë kundër epidemisë në provincën kineze Hubei tha se testet kanë treguar se shumica e atyre që i kanë “mbijetuar” virusit edhe më tej janë të infektuar.
Xhianping thotë se zbulimi i ri është shumë shqetësues.
“Ku t’i vendosim pacientët e tillë? Nuk mund t’i dërgojmë në shtëpitë e tyre, pasi mund t’i infektojnë familjarët, ndërsa nuk mund t’i lëmë as në spitale, pasi nuk kemi kapacitete në dispozicion”, sqaroi Xhianping.
Ksiang Nixhuan, shkencëtar i Qendrës kineze për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve thotë se duhet të vihet mbikëqyrje edhe për ata të cilët kanë qenë në kontakt me pacientët e mjekuar, pasi është e mundur ata të jenë të infektuar.
Pacientët e infektuar në Kinë mund të marrin fletë lëshimi vetëm nëse i përmbushin katër kushtet: temperatura trupore të jetë në kufi të normales për tri ditë me radhë, të mos keni probleme respiratore, incizimet rentgen të tregojnë se nuk ka dëmtim të mushkërive dhe testet e acideve nukleike të jenë negative dy herë me radhë.
Në ndërkohë, autoritetet kineze kumtuan se periudha e inkubacionit mund të jetë më e gjatë se 14 ditë, pasi është përcaktuar se një burrë 70-vjeçar në provincën Hubei është infektuar me virusin, ndërsa simptoma ka treguar madje pas 27 ditësh.
Periudha e inkubacionit më të gjatë do të mundet dukshëm t’i komplikojë angazhimet për shkatërrimin e epidemisë, prej të cilës deri më tani jetën e humbën mbi dy mijë persona.
Shkencëtarët kinezë, në bazë të analizave të strishave nga fyti dhe hunda tek 18 pacientë të infektuar me Kovid-19, përcaktuan se ky virus më shumë ngjason me virusin nga gripi, ndërsa më pak me koronavirusët e tjerë. Kjo sugjeron se ai mund të përhapet më shpejtë se që supozohej paraprakisht.MIA shk/