Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka reaguar në lidhje me raportimet se simbolet e Kosovës janë larguar nga Kongresi i UEFA-s që po zhvillohet në Beograd, shkruan KosovaPress.
Në këtë reagim, FFK thotë se Kosova mori pjesë dhe u përfaqësua në këtë kongres me simbolet shtetërore.
“Federata e Futbollit të Kosovës ishte pjesë e Kongresit të 49-të të UEFA-s, mbajtur në Beograd, ku delegacioni ynë, i kryesuar nga presidenti Agim Ademi dhe u.d. sekretari i përgjithshëm, Markus Ëeidner, përfaqësoi Kosovën me dinjitet dhe në përputhje të plotë me statusin tonë si anëtare e barabartë në UEFA dhe FIFA. Në këtë ngjarje të rëndësishme të futbollit evropian, ashtu si çdo federatë tjetër anëtare, Kosova u prezantua me simbolet e saj shtetërore, teksa konfirmoi edhe një herë përkushtimin e saj për zhvillimin e futbollit dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e FFK-së, përcjellë KosovaPress.
“Deklaratat e pabaza të Federatës së Futbollit të Serbisë, që synuan ta paraqesin pjesëmarrjen tonë si diçka jashtë interesit të futbollit, nuk kanë asnjë bazë dhe vetëm sa dëshmojnë tendencën e vazhdueshme të përzierjes së politikës në sport nga ana e Serbisë”, thuhet tutje në reagim.







