27/05/2024
13.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

“Lëvizja e lirë a mallrave” nga Klasteri 2 në agjendën e takimeve të sotme të skriningut të RMV-së me BE-në,

Sot në agjendën e takimeve të skriningut të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian në Bruksel ishte Kapitulli 1 –Lëvizja e lirë a mallrave nga Klasteri i 2-të – Tregu i brendshëm, njofton Portalb.mk.

Lëvizja e lirë e mallrave paraqet një nga 4 liritë themelore mbi të cilat është i ndërtuar dhe funksionon Tregu i vetëm i Bashkimit Evropian. Legjislacioni dhe implementimi institucional i lëvizjes së lirë të mallrave paraqet bazën e zhvillimit ekonomik.

Zv/Negociatorja kryesore e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian DritaAbdiu-Halili theksoi se lëvizja e lirë e mallrave është e një rëndësie të veçantë, nga vetë fakti se 75% e tregtisë së përgjithshme brenda BE-së përbëhet nga mallrat dhe kjo gjeneron mbi 20% të Prodhimit Bruto të Brendshëm të Bashkimit Evropian.

“Maqedonia e Veriut ka arritur të harmonizojë pjesën më të madhe të legjislacionit për këtë kapitull, dhe institucionet bartëse të këtij procesi kanë statusin e entiteteve të pavarura juridike. Është dëshmuar se 1.7 % e rritjes ekonomike të Prodhimit Bruto të Brendshëm të shteteve anëtare në nivel vjetor i atribuohet tregtisë së mallrave brenda tregut të vetëm të BE-së. Tregu i vetëm i BE-së ju ndihmon shteteve anëtare të ndërtojnë ekonomi të zhvilluara dhe të qëndrueshme. Sa i përket tregut të vetëm të BE dhe lëvizjes së lirë të mallrave legjislacioni i BE-së fillimisht ishte i fokusuar në heqjen e barrierave tregtare, kurse sot tregu i vetëm i Bashkimit Evropian adreson edhe qëllime të tjera strategjike të kohës, si që janë normat mjedisore dhe të drejtat e njeriut”, thonë nga Sekretariati për Çështje Evropiane.

Korniza legjislative që lidhet me lëvizjen e lirë të mallrave është në evoluim dhe ndryshim të vazhdueshëm dhe është mjaft e rëndësishme, por akoma më e rëndësishme është edhe struktura institucionale që duhet ta implementojë atë.

Ndryshe, gjatë javës do vazhdojnë seancat e skriningut shpjegues për Klasterin e 2-të, që pritet të përmbyllet për 2 javë, për të vazhduar në Klasterin e 3-të – Konkurrenca dhe zhvillimi gjithëpërfshirës.

Nga data 15 deri më 27 shtator, në Bruksel në kuadër të procesit të skriningut RMV-BE u mbajtën takime për fushat dhe kapitujt e grupit të të Drejtave themelore, ku Komisioni Evropian prezanton legjislacionin e tij për këto fusha.

Prej 11 nëntori deri më 9 dhjetor të këtij viti, do vazhdojë faza e dytë e skriningut, gjegjësisht atij bilateral. Në këtë proces Maqedonia e Veriut do të paraqesë shkallën e përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, strukturën institucionale të zbatimit të ligjit. Në atë periudhë, ekipi i RMV-së do t’i prezantojë para përfaqësuesve të KE-së planet për harmonizim të mëtejmë dhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe resurset e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT për zbatimin e standardeve evropiane.

Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Të fundit