15/06/2024
17.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

“Lista e Zezë” po dridh çdo politikan? A thua përse kaq shqetësim nëse jemi të pastër !

Edhe pse ngjyra e zezë simbolizon errësirën, kohën e fundit ajo ka marrë një simbolikë pak tjetër në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për formulimin “lista e zezë”, që përfshin jo vetëm politikanë, por edhe figura tjera të cilat po sanksionohen nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Pra “Lista e zezë” amerikane është pritur me shumë shpresë se do të sjellë pak “dritë” në fund të tunelit të gjatë 30 vite, që kemi kaluar ne si qytetarë të këtij vendi, shkruan Zhurnal.

“Lista e Zezë” pritet të ndryshojë në tërësi perceptimin e opinionit për dhe ndaj korrupsionit. Deri tani i aftë është llogariturai politikan i cili ka bë miliona e miliona, falë korrupsionit, vjedhjes dhe malverzimieve me mjete buxhetore, kurse i paaftë dhe i padenjë për t’u marë me politikë është konsideruar çdo politikan i cili nuk është pasuruar me korrupsion dhe me malverzime.

Edhe ndërgjegjja jonë të futet në “listën e zezë”..

“Ky nuk është i aftë të bëjë pasuri për vete, e do të na përfaqësojë neve”. Është kjo frazë e njohur, me të cilën kemi përjashtuar nga skena politike figurat më të nershme dhe më të sinqerta që kemi pasur, duke u hapur rrugën atyre që nuk ditën të ngopen dhe ende nuk po ngopen me korrupsion, shkruan Zhurnal. Shikuar nga ky aspekt, në “listën e zezë” amerikane duhet të futet edhe ndërgjegjja jonë kolektive, së paku e atyre që me votë kanë përkrahur “politikanët e aftë” që kanë ditur të vjedhur miliona dhe kanë votuar kundër “politikanëve të paaftë”, që nuk kanë ditur të vjedhin për vete, e “lëre më të na përfaqësojnë neve”., përcjell zhurnal.mk

Opinioni me shumë pozitivitet po e pret tani shpalljen e “listës së zezë”. Në momentin kur korrupsioni e antikorrupsioni ishin bë bashkë me politikën, prokurorinë, gjyqësorin, duke krijuar një rreth vicioz më të rrezikshëm se Trekëndëshi i Bermudeve, “lista e zezë” me të vërtetë sjell shpresë se gjërat mund të ndryshojnë për të mirë. Korrupsioni është shkaku kryesor që ka detyruar qindra mijëra të rinj të largohen nga Maqedonia e Veriut. “Lista e Zezë” me siguri nuk është shkop magjik që do të zhdukë korrupsionin nga faqja e dheut në vendin tonë, por është diçka që kthen shpresën për ndryshim të gjërave. Kjo me automatizëm do të kthejë edhe shpresat e të rijëve tanë, që ende janë në vendlindje dhe nuk kanë migruar, se Maqedonia e Veriut do të bëhet shtet ku mund të ndërtojnë ardhmërinë e tyre, shkruan Zhurnal.

A mundet me “goditë” pak më fuqishëm Amerika?

Mjaft i gjerë dhe i gjatë është debati nëse mund të ndriçohet dhe të dënohet i gjithë ai krim e korrupsion që ka ndodhur dekadat e kaluara, mirëpo tani së paku ekzistin shpresa se krimit dhe korrupsionit i ka ardhur fundi. Tani e tutje, secili që do të vendosë të zhytet në pisllëkun e krimit dhe korrupsionit, do të mendohet së paku dy herë.
Vërehet dëshirë e madhe që masat e DASH-it ndaj figurave të “listës së zezë” të jenë edhe më të ashpra se tani, mirëpo futja në “listë të zezë” pa dyshim është një kamxhik i fuqishëm në shpinën e politikanëve dhe biznesmenëve, e aq më tepër edhe të prokurorëve e gjykatësve nëse eventualisht edhe ndonjëri prej tyre futet aty, shkruan Zhurnal.
Politikanët demaskohen para opinionit, sepse lëre që janë zhytur në korrupsion, por edhe në çdo rast që u është dhënë kanë bërtitur “Amerika, Evropa, Perëndimi”. Tani së paku nuk do e kenë më këtë luks, sepse “lista e zezë” nxjerr ata “lakuriq” para mbarë opinionit.

Biznesmenët do të goditen sepse shumë kompani do të jenë në të ardhmen më mosbesuese ndaj bashkëpunimit me to. Kjo do të sjellë deri në shkrirje dalngadal të pasurisë që kanë krijuar, duke manipuluar sistemin.

Fundja, ambasadorja amerikane Angela Price Aggeler e tregoi shumë qartë esencën e këtij procesi: Amerika nuk mundet t’i arrestojë këto persona, por duhet që institucionet në Maqedoninë e Veriut tani të bëjnë punën e tyre.

“Ne punojmë me institucionet këtu që rastet e tilla të marrin formë dhe zhvillohen. Si dhe nëse ndonjëherë ata vendosin të ndërmarrin hapa, u takon autoriteteve këtu. Këta njerëz kanë lënduar qytetarët e këtij vendi. Aktivitetet korruptive kanë dëmtuar qytetarët e këtij vendi. Është dëshirë e imja që ju dhe gazetarët nga Amerika pse jo t’i ndiqni këto raste dhe të parashtroni pyetje të vështira ndaj atyre që janë autoritet këtu. Ne nuk do të vijmë dhe të arrestojmë dikë në Maqedoni të Veriut apo të hapim ndonjë rast ilegal. Por duket se po bëhet interesant në drejtim të asaj se çfarë hapa do të ndërmarrin autoritetet vendase”, tha Angela Aggeler, Ambasadore e SHBA-ve në Shkup.

Tani institucionet që kanë për detyrë të luftojnë korrupsionin e kanë shpinën më të fortë dhe rrugën më të hapur për të përndjekur krimin dhe korrupsionin. Mesazhi i ambasadores amerikane na bën të qartë se duhet pak edhe ne të bëjmë punën tonë, në këtë luftë të shpallur kundër të keqes, e jo vetëm të ngrejmë duart lartë e të presim se gjithë punën do e kryejë Uashingtoni. /Zhurnal

Të fundit