Kanë mbetur edhe 12 ditë deri në afatin që vetë Hristijan Mickoski e ka vendosur për përmbushjen e reformave dhe detyrimeve evropiane. Sipas LSDM-së, këto 12 ditë përfaqësojnë një tjetër zhgënjim të madh dhe një tjetër premtim të papërmbushur nga Mickoski.
“Pa ndryshime kushtetuese dhe pa përfshirjen e pakicave, nuk do të ketë vazhdim të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe asnjë lëvizje nga pika e vdekur. Nuk do të hapet faza e radhës e negociatave, pavarësisht se sa kushte do të përmbushen formalisht. Ky është thelbi i çështjes”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga LSDM theksojnë se vetë Mickoski ka deklaruar se disponon me shumicë absolute dhe se, pa konsensus, e ka shfuqizuar Qeverinë Teknike.
“Tani ai nuk duhet të kërkojë alibi te LSDM-ja. Ne nuk do të shërbejmë si justifikim për dështimin e tij në zbatimin e reformave. Le t’i realizojë reformat që ka premtuar dhe t’i përmbushë detyrimet deri më 1 qershor. Le t’i përfshijë pakicat në Kushtetutë dhe të dëshmojë se vërtet dëshiron që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Evropian. Në të kundërt, le t’u pranojë qytetarëve se nuk e dëshiron integrimin në BE, sepse ka frikë nga standardet evropiane, reformat, gjyqësori i pavarur dhe përgjegjësia që kërkon Evropa”, thuhet më tej në reagimin e LSDM-së.







