20/06/2024
22.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Maqedoni, deri 10% e popullsisë kanë shkallë të caktuar të sëmundjes kronike të veshkave

Tetë deri në 10 për qind e popullsisë së përgjithshme në Maqedoninë e Veriut mendohet të ketë një shkallë të caktuar të sëmundjes kronike të veshkave. Në fazat e hershme, sëmundja është pa simptoma, shfaqet në heshtje dhe pacientët as që e dinë se e kanë. Mjekët rekomandojnë ekzaminime të rregullta parandaluese që mund të zbulojnë sëmundjen në fazat e hershme dhe në këtë mënyrë të parandalojnë përparimin e saj.

“Shkaktarët më të zakonshëm të kësaj sëmundjeje janë presioni i lartë i gjakut – hipertensioni arterial dhe diabeti. Me trajtimin e tyre në kohë dhe korrekt do të parandalojmë zhvillimin e sëmundjeve kronike të veshkave”, thotë drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë, Irena Rambabova Bushljetiq, në një deklaratë për AIM.

Në RMV, numri i pacientëve që kanë nevojë për trajtim kronik të hemodializës varion nga 1300 deri në 1600 persona.

Statistikat e vitit 2021 tregojnë se në RMV janë rreth 1390 pacientë me hemodializë, thotë Rambabova-Bushljetiq.

Përveç Klinikës së Nefrologjisë, ku çdo ditë trajtohen pacientët që i nënshtrohen dializës, trajtimi i hemodializës kryhet edhe në disa qendra të tjera të dializës në RMV, si Diaverum, Nephroplus dhe Diames, Instituti i Nefrologjisë në Strugë, si dhe në qendrën për dializë në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”.

Ndërsa sa i përket listës së pritjes për transplantin e veshkave, numri i pacientëve është nga 130 deri në 160 pacientë, por ky numër, siç thekson drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë, është i ndryshueshëm pasi përditësohen vazhdimisht ekzaminimet e marrësve të mundshëm të veshkave.

Deri më tani në vend janë bërë transplantime tek 250 pacientë dhe numri më i madh i ndërhyrjeve të tilla nga një donator i vdekur janë kryer në vitin 2021./Telegrafi/

Të fundit