24/05/2024
11.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Maqedonia e Veriut është e përgatitur të formojë Qendrën e trajnimit për zgjedhjet

Me qëllimin e zbatimit të standardeve ndërkombëtare për zgjedhjet, si dhe të rekomandimeve të komisionit të Venedikut për trajnimin e vazhdueshëm të administratës zgjedhore dhe të aktorëve të tjerë të përfshirë në procesin zgjedhor u përpunua „Studimi i fizibilitetit dhe udhërrëfyesi për formimin e Qendrës së trajnimeve për zgjedhjet“ nga projekti „Mbështetje të reformave zgjedhore“ të qeverisë së Zvicrës, njoftojnë nga ambasada, transmeton Portalb.mk.

“Studimi i fizibilitetit bëhet zakonisht kur dëshironi të krijoni një organ, ose një institucion të ri, ose të përmirësoni institucionet ekzistuese. Në proces përfshihen: Komisioni shtetëror i zgjedhjeve dhe organet e tjera, siç janë përfaqësuesit e komisioneve komunale të zgjedhjeve, si dhe përfaqësuesit e partive politike, të sektorit civil dhe mediave, me qëllim që të identifikojmë se cilat janë nevojat e tyre specifike, duke bërë kështu procesin gjithëpërfshirës dhe transparent për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor. Lajmi i mirë është se këtu në Maqedoninë e Veriut tashmë është bërë shumë punë, kështu që ka një sistem trajnimi, ka programe dhe grupe trajnuesish, në fushën e edukimit të qytetarëve dhe të votuesve” – tha Pavel Kabaçenko, drejtuesi i ekipit përgjegjës për përgatitjen e studimeve.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut është e gatshme të bëjë hapin e rradhës në drejtim të përmirësimit dhe institucionalizimit të trajnimeve dhe përgatitjet për të njëjtin duhet të fillojnë menjëherë.

“Duke qenë se ne për një kohë më të gjatë jemi përfshirë në këtë proces, mund të them se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse disa aktivitete konkrete tashmë kanë filluar. Nëse ia dalim, kjo do të thotë sukses historik, sepse deri më tani nuk ka ekzistuar, ndërsa është një segment i rëndësishëm për ngritjen e nivelit të demokracisë në vend, në përgjithësi” bëri të ditur Aleksandar Dashtevski, kryetar i Komisionit shtetëror të zgjedhjeve.

“Vizioni i Komisionit shtetëror të zgjedhjeve dhe strategjia e tij afatgjatë është formimi i qendrës për trajnime që do të ekzistojë në kuadër të strukturës së Komisionit shtetëror të zgjedhjeve, megjithatë do të përpiqet të përqendrohet më tepër në sigurimin e edukimit për të gjithë faktorët në zgjedhje, dhe jo vetëm për organet zgjedhore si deri më tani” theksoi Ljupka Guguçevska Filiposka, udhëheqëse e njësisë për trajnime të vazhdueshme në Komisionin shtetëror të zgjedhjeve.

Ajo shtoi se veçanti e Komisionit shtetëror të zgjedhjeve si institucion, është grupi i synuar që duhet të edukojë. Këta nuk janë vetëm të gjithë shtetasit madhorë, jo vetëm votuesit, por thënë troç, të gjithë qytetarët e këtij vendi – edhe ata që janë në bankat shkollore, sepse që të kemi rezultat në afat të gjatë, përkatësisht të ngrihet vetëdija dhe njohuritë për demokracinë dhe zgjedhjet, me edukimin duhet të fillohet shumë më herët.

“Shpresojmë se ky studim, së bashku me diskutimet aktuale në këtë temë, do të kontribuojnë në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për edukimin e përmirësuar për zgjedhjet, si dhe të njejtat do të ndihmojnë në forcimin e punës së administratës zgjedhore, jo vetëm gjatë organizimit të zgjedhjeve, por edhe gjatë sigurimit të shërbimeve më të mira për votuesit dhe aktorët e tjerë zgjedhorë. Këto përpjekje kanë për qëllim që t’i avancojnë reformat zgjedhore, duke rritur transparencën, integritetin dhe besimin e përgjithshëm në proceset zgjedhore”, theksoi Joana Kozma, drejtoreshë e zyrës së IFES-it në Shkup.

Studimi u përpunua nga projekti „Mbështetje të reformave zgjedhore“ të qeverisë së Zvicrës, të cilin e zbaton Fondacioni ndërkombëtar për sistemet zgjedhore (IFES). Projekti synon drejt proceseve zgjedhore më gjithpërfshirëse dhe më demokratike që udhëhiqen nga organizimi i përforcuar i zgjedhjeve, që vëzhgohen nga afër prej qytetarëve.

Të fundit