17/06/2024
25.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Marrëveshja midis EVN-së dhe banorëve të Sllupçanit, shkakton përplasje politike

Opozita akuzon Qeverinë se ka ndërmjetësuar në arritjen e marrëveshjes mes EVN-së dhe banorëve të Sllupçanit. VMRO-DPMNE-ja kërkon përgjigje nëse Qeveria i ka garantuar banorëve të Sllupçanit shlyerjen e borxheve dhe faturat fikse prej 3.000 denarësh.

“A është Qeveria ajo që garanton për banorët e Sllupçanit se do tu shlyhen borxhet, apo i ka garantuar EVN-së se borxhi do t’ju paguhet? A është Qeveria ajo që garanton banorët e Sllupçanit se do tu sigurohen fatura të fikse për rrymën ashtu siç kërkojnë prej 3.000 denarësh pavarësisht se sa harxhojnë? A do t’ia paguaj Qeveria borxhin banorëve të Sllupçanit? A do t’i shtrenjtohet rryma qytetarëve të tjerë vetëm që të mbulohet borxhi në Sllupçan?”, deklaroi Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi përgënjeshtroi të gjitha pretendimet e opozitës. Sipas tij, as Qeveria, as ministria dhe as subjekti të cilit i takon nuk kanë ndërhyrë në këtë proces. Bekteshi porositi opozitën që para se të akuzojë ndonjë vend për vjedhje të energjisë elektrike, të shoh se si është situata në komunat me cilat udhëheqin ato.

“Neve nuk kemi informacion për atë se çfarë është biseduar dhe për çfarë janë marr vesh banorët e Sllupçanit dhe përfaqësuesit e EVN-së. nëse ata kanë nevojë për ndihmën ose lehtësimin nga ana jonë, neve jemi këtu që t’u dalim në ndihmë. I lus partitë politike dhe mediat të mos japin lajme të rreme se gjoja vende të caktuara vjedhin ose keqpërdorin energjinë elektrike”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Më 27 korrik, pas protestave disa ditore dhe ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike, banorët e Sllupçanit dhe EVN arritën marrëveshje që më 9 gusht të fillojnë punimet për instalimin e orëmatësve të rinj. /Alsat.mk

Të fundit