25/06/2024
17.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Për shtatë muaj, 87 mashtrime në Pollog

Nga ana tjetër, statistikat tregojnë se këtë vit ka një numër të madh të mashtrimeve në rajonin e Pollogut. Sipas policisë, pjesa dërmuese e këtyre mashtrimeve janë zbardhur. Nga policia e Tetovës disa herë kanë dalur me rekomandime që qytetarët gjithnjë e më shumë të jenë të kujdesshëm, ndërkaq rikujtojnë se mashtrimi është vepër penale ku parashihet dënim deri në tetë vite burg

Urim HASIPI

Tetovë, 4 gusht – Mashtrues të ndryshëm operojnë në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit. Viteve të fundit gjithnjë janë në rritje rastet kur qytetarë të Pollogut, bien në kurthin e mashtruesve, ndërsa më të theksuara janë rastet kur qytetarëve u ofrohet vizë pune në ndonjë shtet të jashtëm. Në këtë formë, qytetarët e këtij rajoni fillimisht japin sasi të konsiderueshme të parave ndërsa më pas nuk mund të kontaktojnë me personin që u kishte premtuar këtë shërbim. Pasi vërejnë se janë mashtruar dhe nuk mund të kontaktojnë me mashtruesin, qytetarët denoncojnë rastet në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë. Rastet e këtilla janë të shpeshta pasi që një pjesë e madhe e qytetarëve janë të interesuar për viza pune jashtë vendit dhe mashtruesit e shfrytëzojnë shumë mirë këtë interesim. Me këtë rast, nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë apelojnë për më shumë kujdes sidomos kur kontaktojnë me të panjohur. “Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë apelon qytetarët që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm kur kontaktojnë me persona të panjohur, përmes telefonit apo rrjeteve sociale, veçanërisht nëse ofrojnë apo kërkojnë shërbime, produkte apo të ngjashme. Sepse, në të kundërt, ata lehtë mund të mashtrohen duke paraqitur ose fshehur faktet në mënyrë të rreme dhe në mënyrë të paligjshme të dëmtohen financiarisht ose ndryshe, pra të mashtrohen, veçanërisht të moshuarit”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë.

Nga ana tjetër, statistikat tregojnë se këtë vit ka një numër të madh të mashtrimeve në rajonin e Pollogut. Sipas policisë, pjesa dërmuese e këtyre mashtrimeve janë zbardhur. “Gjatë këtij viti në Sektorin e Punëve të Brendshme në Tetovë janë raportuar gjithsej 87 mashtrime me persona dhe 3 mashtrime kompjuterike, një pjesë e madhe e të cilave tashmë janë zbardhur dhe kompletuar me parashtresa përkatëse ndaj mashtruesve, ndërsa pjesa tjetër janë duke u zbardhur”, theksoi zëdhënësi Rexhepi.

Nga policia e Tetovës disa herë kanë dalur me rekomandime që qytetarët gjithnjë e më shumë të jenë të kujdesshëm kurse rikujton se mashtrimi është vepër penale ku parashihet dënim deri në tetë vite burg. “Në kontakte, mashtruesit me mjeshtëri dhe dinakëri, shpesh duke shpikur histori të rreme, në shumicën e rasteve arrijnë qëllimin dhe marrin para, para së gjithash, ose ndonjë lloj përfitimi tjetër material. Sektori për Punë të Brendshme Tetovë rikujton se mashtrimi është vepër e dënueshme sipas nenit 247 të Kodit Penal, i cili dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”, tha Fatmir Rexhepi.

Në këtë rajon nuk mungojnë edhe mashtrime tjera, sidomos me porositë online. Policia kërkon që më të kujdesshëm të jenë personat e moshuar të cilët më lehtë bien pre e mashtruesve të ndryshëm. (koha.mk)

Të fundit