21/04/2024
4.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Mbrojtja e Durmo Turs: Fajtor për aksidentin është shoferi, nuk ka qene i kujdesshëm

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot mbahet seancë gjyqësore për rastin e aksidentit të autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë të Shkupit në shkurt të vitit 2019-të, gjatë së cilës 16 persona humbën jetën dhe mbi 30 të tjerë u lënduan. Sot jepen fjalët përfundimtare. Prokurori Darko Jakimovski u shpreh se të gjithë të akuzuarit për aksidentin e Llaskarcës janë fajtor, por ia hedhin fajin njëri tjetrit, duke shtuar se përveç dënimeve të merituara, atyre duhet t’u ndalohet që të merren me veprimtari transporti, njofton Portalb.mk.

Ndërkaq, avokati i Durmo Tursit, Delo Kadiev, gishtin ia ka drejtuar shoferit të autobusit Manoil Trifunovskit, pasi siç tha, ai nuk ka qenë i kujdesshëm gjatë vozitjes.

Në seancat e kaluara para Gjykatës janë deklaruar ekipet e ekspertëve të cilët i kanë përgatitur superekspertizat e komunikacionit dhe të makinerisë. Superekspertiza e komunikacionit, ashtu sikur superekspertiza makinerike, është përgatitur me urdhër të gjykatës, pasi ekspertizat paraprake kanë pasur kontradikta mes tyre. Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, fajin ia hedhin shoferit të autobusit, ndërkaq avokati i shoferit, pretendon që fajtore është kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike.

Sipas dy superekspertizave, autobusi ka pasur parregullsi teknike, por këto parregullsi nuk kanë qenë shkaktar për aksidentin. Sipas tyre, shoferi edhe pse ka pasur mundësi, nuk i ka ndërmarrë veprimet e duhura për ta ndaluar autobusin, gjegjësisht nuk ka frenuar.

Prokurori konteston superekspertizat, ashtu sikur edhe familjarët e viktimave, ndërkaq përfaqësuesit e kompanisë “Durmo Turs”, i kanë hedhur këto pretendime, duke theksuar se bëhet fjalë për ekspertizë e cila nuk është porositur prej tyre, por prej gjykatës.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

Të fundit