22/04/2024
12.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

“Medalje e artë” nga gazetarët për Danela Arsovskën për jotransparencë

Sa më gjatë të jetë qeveria në pushtet, aq më jotransparente bëhen institucionet, thonë disa gazetarë me të cilët ka biseduar Meta.mk dhe sa të kënaqur janë me transparencën e qeverisë, institucioneve publike dhe shtetërore, vetëqeverisjes lokale në vitin e kaluar. Përshtypja e përgjithshme është se pas ardhjes së Dimitar Kovaçevskit për kryeministër, transparenca e Qeverisë ka rënë, gjegjësisht shpeshherë ndodh që të mos merren përgjigje për pyetjet e gazetarit të dërguara në e-mailin e shërbimeve të PR, transmeton Portalb.mk.

Pakënaqësia më e madhe e gazetarëve me të cilët biseduam vjen nga mostransparenca e Qytetit të Shkupit, ku pothuajse asnjë gazetar nuk ka marrë përgjigje për një pyetje me interes publik, gjë që vetëm më tej ka shkaktuar infektim të spekulimeve për punën e qytetit në vitin e fundit. Redaksia e Meta.mk dhe Portalb.mk deri më tani nuk kanë marrë pothuajse asnjë përgjigje për një pyetje gazetareske, përveç një kërkese për qasje të lirë në informata të karakterit publik, se sa drejtorë janë zëvendësuar nga kryetarja Danela Arsovska që kur ajo është në pozitë kyçe në qytetin e Shkupit.

Valentina Stojançevska. Foto: Arkiva personale
Valentina Stojançevska. Foto: Arkiva personale

“Nëse duhet të zgjidhni institucionin më jotransparent, atëherë medalja e artë shkon për qytetin e Shkupit, konkretisht për kryetaren Danela Arsovska. As ajo dhe as shërbimi i marrëdhënieve me publikun nuk u përgjigjen kurrë pyetjeve tona. Një injorim i tillë i publikut, i paraqitur përmes mediave, nuk ka ndodhur kurrë më parë. Kur bëhet fjalë për Qeverinë, duhet theksuar se në vitin e kaluar është bërë gjithnjë e më e vështirë marrja e përgjigjeve dhe praktika më e zakonshme është kalimi i topit te një prej ministrive. Bie në sy se mbyllja vjen pas ndryshimit të kryeministrit. Kur ishte Zoran Zaev në këtë pozitë, ishte shumë më e lehtë për të marrë një përgjigje, dhe shpesh herë më shpejt merrnim informacione personalisht nga kryeministri i atëhershëm Zaev, sesa nga shërbimi informativ”, thotë për Meta.mk Valentina Stojançevska, gazetare në të përjavshmen dhe në edicionin e internetit të Fokus.

Ajo shton se prej më shumë se një viti “nuk është dëgjuar as zëri i kreut të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi”.

“Ai shkatërron vlerësimin e prokurorive të tjera, të cilat konsiderohen mjaft transparente. Përgjigje me kohë merren edhe nga shumica e gjykatave në vend, prej të cilave Gjykata Penale dhe ajo Supreme do të veçoheshin si më transparente”, shton Stojançevska në emër të redaksisë.

Për Miroslava Simonovska, gazetare në Sloboden Peçat, institucionet e përdorin PR-në e tyre vetëm për të promovuar politikat dhe aktivitetet e tyre.

“Institucionet janë shumë transparente kur duhet të përdorin gazetarin dhe median për të vendosur informacion në favor të aktiviteteve që duan të promovojnë si sukses politik. Kur bëhet një pyetje që mund të zbulojë mangësitë e tyre, të çojë në kritika sociale ose të prish imazhin e përsosur të institucionit, nuk do të ketë përgjigje”, thotë Simonovska.

Ana Antevska, gazetare në ueb portalin Sdk.mk, thotë se me kalimin e viteve është bërë gjithnjë e më e vështirë marrja e përgjigjeve nga qeveria.

“Ky është viti i shtatë i qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së dhe po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të marrë përgjigje për pyetjet. Nuk mund të marrësh më përgjigje me telefon nga asnjë zëdhënës, ata thonë që tu dërgojmë pyetje dhe përgjigjet merren rrallë në të njëjtën ditë, duhet të presësh dy ose tre ditë. Dhe në përgjigjet me shkrim nuk ka përgjigje konkrete për pyetjet, por një shpjegim të gjatë dhe të gjerë se çfarë ka bërë qeveria deri më tani”, thotë Antevska.

Ajo është gazetare e cila ka vite që i përcjell zhvillimet në komuna dhe punën e autoriteteve komunale dhe të qytetit të Shkupit, dhe sipas përvojës së deritanishme, kryetarja Danela Arsovska nuk u është përgjigjur pyetjeve gazetareske, nuk ka mbajtur konferenca për media dhe brifing me gazetar, ndërsa gazetarët prej dy vitesh nuk kanë qasje në Qytetin e Shkupit.

Ana Antevska. Foto: Arkiva personale
Ana Antevska. Foto: Arkiva personale

“Kryetarja e Qytetit nuk u dërgon ftesa mediave për pjesëmarrje në ngjarjet e organizuara nga Qyteti i Shkupit që gazetarët të mos i bëjnë pyetje. Nëse rastësisht paraqitet në një event të organizuar nga një institucion tjetër që ka ftuar mediat, kur i kërkohet deklaratë, ajo thotë se nesër do të kemi një konferencë për atë temë dhe largohet, ndërsa konferenca për shtyp nuk mbahet kurrë. As për pyetjet e dërguara në email adresën zyrtare për komunikim me media nuk ka përgjigje”, thotë Antevska dhe shton se nuk mund të merret deklaratë nga drejtorët e ndërmarrjeve publike që ajo i emëron.

“Kjo do të thotë se aktualisht nuk mund të merret asnjë deklaratë nga Qyteti dhe mediat nuk e dinë se çfarë po ndodh në qytet. Arsovska është e vetmja kryetare e cila nuk merr pjesë në mbledhjet e Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe nuk përgjigjet në pyetjet e këshilltarëve. Asnjë kryetar komune, jo vetëm i Shkupit, por edhe i qyteteve dhe komunave tjera, nuk ka pasur dhe nuk ka qëndrim të tillë ndaj mediave, këshilltarëve dhe publikut”, konsideron Antevska.

Sunai Sabrioski nga TV24 thotë se problemi qëndron tek vetë gazetarët,të cilët në një mënyrë pajtohet me pyetjen dhe marrjen e përgjigjes, pa insistuar më tej për përgjigje shtesë.

Indeksi i Hapjes, një raport i Fondacionit për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” i publikuar së fundmi, tregoi se Ministria e Mbrojtjes është institucioni i parë i renditur për sa i përket të dhënave të hapura, ndërsa Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve me Komunitetet është në nivelin më të ulët.

Indeksi i Hapjes vlerëson performancën e ekzekutivit në fushën e qeverisjes së mirë duke u fokusuar në katër fusha: aksesueshmëria, transparenca, integriteti dhe efikasiteti. Një fushë e përbashkët – të dhënat e hapura – analizohet në të katër fushat.

Gjetjet treguan se nga matja individuale e gjithsej 36 institucioneve, Ministria e Mbrojtjes (89,72%) është institucioni kryesor në përmbushjen e treguesve të hapjes, e ndjekur nga Qeveria (79,14%) dhe Ministria e Punëve të Brendshme. (78 .9%).

Në fund të listës së hapjes në Maqedoninë e Veriut janë Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve me Komunitetet (27,59%), Drejtoria e Policisë Financiare (37,08%) dhe Sekretariati për Çështje Evropiane (38,89%).

Tetë ministri (bujqësia, shëndetësia, ekonomia, drejtësia, kultura, vetëqeverisja lokale, transporti dhe lidhjet dhe sistemi politik dhe marrëdhëniet me komunitetet) janë nën mesataren e ministrive që plotësojnë 61.58% të treguesve të hapjes.

Të fundit