04/10/2024
13.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

MEXHITI: PËRKRAHJE TË PLOTË PËR INVESTIMET NË BIZNESET E GJELBRA

Zëvendës kryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot mori pjesë në Konferencën ‘Engjujt e biznesit dhe ekosistemi sipërmarrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, mundësitë dhe sfidat’ ku theksoi rëndësinë që jep qeveria dhe ministria që drejton, ndaj investimeve në bizneset e gjelbra.

Mexhiti, i ftuar në konferencë nga Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi tha se qeveria dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ka prioritet sipërmarrësinë e gjelbër dhe rolin јetik që në këtë drejtim luajnë engjujt e biznesit, si financues të këtyre bizneseve.

Engjujt e biznesit nuk janë vetëm mbështetës financiarë, ata janë vizionarë që sigurojnë edhe kapital dhe mentorim në fazat më të cenueshme të jetës së një start-up biznesi.  Investimet e tyre nxisin projekte që merren me çështje urgjente ekologjike-reduktimin e emetimeve të karbonit, kujdesin ndaj ujit, menaxhimin e mbeturinave dhe krijimin e zgjidhjeve të qëndrueshme të energjisë’ tha Mexhiti duke shtuar se bota po ballafaqohet me një nevojë urgjente për zgjidhjen ekologjike, dhe pikërisht bizneset e gjelbra po rriten me ide inovative.

Zëvendës kryeministri i Parë Izet Mexhiti  tha se mbështesin engjujt e biznesit në sektorët e gjelbër sepse ato lidhin hendekun midis inovacionit dhe realizimit, ata investojnë në sektorë me rrezik të lartë siç është  teknologjia e gjelbër,  që investitorët tradicionalë mund t’i shmangin.

Engjujt e biznesit mundësojnë teknologjitë revolucionare, të tilla si burimet e rinovueshme të energjisë, materialet ekologjike dhe inovacionet e kursimit të ujit, dhe kjo është arsyeja se pse ne jemi të përkushtuar në krijimin e një ekosistemi i cili jo vetëm që i mbështet sipërmarrësit, por gjithashtu i fuqizon engjujt e biznesit  të bëjnë investime me ndikim në bizneset e gjelbra’ tha Mexhiti.

Konferenca e sotme u organizua nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, në bashkëpunim me Misionin e BE-së në Shkup, ndërsa përfshiu zyrtarë qeveritarë, odat ekonomike në vend, akademikë dhe  afaristë, të cilët ishin të përfshirë në projektin disa vjeçar me titull Përgjegjësia sociale e korporatave dhe Engjujt e Biznesit– forca shtytëse për zhvillimin e sektorit privat’, që ka për qëllim rritjen e numrit të kompanive me veprimtari ekologjike.

 

Të fundit