14/10/2024
14.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Mickoski: Qiraja të cilën Lotaria i paguante kompanisë Hej, ishte trefish më e lartë nga ajo që përcakton tregu

Qeveria e arsyeton vendimin për prishjen e marrëveshjes mes kompanisë “Hej” dhe Lotarisë shtetërore. Kryeministri Hristijan Mickoski, tha se qiraja të cilën Lotaria i paguante kompanisë Hej, ishte trefish më e lartë nga ajo që përcakton tregu. Ai nënvizoi se kontrata e prishur është bazë për përgjegjësi penale dhe se ekzistojnë dyshime serioze për kriminalitet nga pushteti i kaluar.

“Sa i përket kontratës që dje ishte pjesë e vendimeve të qeverisë, po, me vendim të qeverisë ajo është ndërprerë. Kontrata jo vetëm që është ndërprerë, por është edhe bazë për fillimin e përgjegjësisë penale, sepse është nënshkruar me një çmim që nuk është i tregut por është deri 3 herë më i lartë se çmimi i tregut dhe jo vetëm, është parashikuar edhe kostoja e rinovimit. Pjesa për të cilën janë paraparë 2.28 milionë euro për qiranë është vetëm një pjesë e kontratës, janë diku rreth 1.7- 1.8 milionë euro që janë paraparë për rindërtimin e vetë objektit, sepse më parë ky objekt përdorej për festa familjare dhe lloje të tjera argëtimi. Supozohej të ishte selia e një lotarie shtetërore dhe për këtë arsye u ndërpre”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Lotaria shtetërore për 13 muaj i ka paguar mbi 300 mijë euro kompanisë “Hej” për dhënien me qira të ish-restorantit për dasma “Festina” në Vizbeg, i cili ruan terminalet e lojërave të fatit të blera për 19 milionë euro. Lotaria Shtetërore, çdo muaj i ka paguar rreth 25 mijë euro kompanisë “Hej” për dhënien me qira të hapësirës që nga korriku i vitit të kaluar.

“Pas vendimit të Qeverisë për prishjen e marrëveshjes mes kompanisë “Hej” dhe Lotarisë së Maqedonisë së Veriut mbetet e paqartë se çfarë do të ndodh me terminalet që gjenden brenda objektit prapa meje. A do të konfiskohen, ku do të ruhen ato, apo çfarë fati tjetër do të kenë”, raporton Ajnur Bafqari, gazetare.

Kompania “Hej” është e njohur për publikun, sepse drejtohej nga njerëz të afërt të ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, si dhe njerëz të afërt të ish-deputetit Ismail Jahoski. Nga ajo që tashmë dihet në opinion, grupi hetimor i MPB-së dhe hetues të Prokurorisë së Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë kontrolluar të gjithë dokumentacionin që lidhet me shpalljet e publikuara, tenderët, kontratat e lidhura, por edhe çdo dokumentacion tjetër shoqërues në lidhje me prokurimet publike. Krahas kësaj, nën hetim është edhe themelimi i tre kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit: “77 Bits”, “Vesuv” dhe “Mozart”. Në këto kompani, shoqëria aksionare shtetërore ka 51% të pronësisë ndërsa kompanitë private nga Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi, si bashkëpronarë posedojnë 49%.

Një muaj më parë, me vendim të Qeverisë, dhe më parë në bazë të interpretimit autentik të disa neneve të Ligjit për Lojërat e Fatit, u konstatua se Lotaria shtetërore ka shpërndarë licenca në kundërshtim me ligjin. Ministria e Financave i ka dorëzuar të gjitha provat Prokurorisë Themelore Publike. /Alsat.mk

Të fundit