Në prag të edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti ka folur për rëndësinë e investimit në kulturë duke e cilësuar këtë si një investim në identitet, trashëgimi dhe zhvillimin e jetës artistike të Shkupit.
Krah ministrit të ri të kulturës, Sedat Sulejmani, kreu i Çairit, Izet Mexhiti tha se shoqëritë nuk mbahen të bashkuara vetëm nga institucionet, por edhe nga kultura dhe vlerat që kultivojnë, duke nënvizuar se festivali “Çarshia” është një nismë që synon të krijojë një traditë të re artistike.
“Nga 23 deri më 26 korrik, Suli Ani dhe Kurshumli Ani do të shndërrohen në skena ku muzika klasike do të takohet me historinë e Çarshisë së Vjetër. Nën drejtimin artistik të Inva Mulës dhe Dëshira Ahmetit, festivali do të mbledhë artistë të shquar vendorë dhe ndërkombëtarë, duke sjellë një program që pasuron jetën kulturore të qytetit dhe i jep atij dimensionin që meriton”.
Ai theksoi se Shkupi ka një histori të pasur kulturore, të ndërtuar mbi bashkëjetesën e qytetërimeve dhe traditave, ndërsa kjo trashëgimi vazhdon të jetojë vetëm përmes krijimit të hapësirave të reja për artin dhe artistët. Ai shtoi se synimi i Komunës së Çairit është që festivali të mos mbetet vetëm një aktivitet katërditor, por të zhvillohet në një institucion kulturor që do të rritet me çdo edicion dhe do ta bëjë Shkupin një qendër të rëndësishme të muzikës klasike në rajon.
“Pikërisht për këtë arsye, festivale si “Çarshia” kanë një mision që shkon përtej skenës artistike. Ato krijojnë hapësira ku trashëgimia takohet me krijimtarinë bashkëkohore, ndërsa identiteti ynë kulturor e kombëtar jo vetëm ruhet, por pasurohet dhe përcillet te brezat që vijnë.Ky është vizioni ynë për Çairin dhe për Shkupin: të ndërtojmë jo vetëm infrastrukturë moderne, por edhe institucione kulturore që do të mbeten pika referimi në jetën kulturore të qytetit dhe të rajonit”.
Nga Komuna e Çairit ftojnë qytetarët të marrin pjesë në edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës, “Çarshia” dhe të bëhen pjesë e fillimit të një tradite të re kulturore në Shkup.








