Ajo që po prezantohet si “rifreskim” i Qeverisë, në fakt është vetëm një riorganizim i dështimeve dhe një konfirmim se interesat politike kanë përparësi ndaj interesit të qytetarëve, thanë gjatë një press-konference nga BDI-ja.
Shqetësues është edhe emërimi i Ivan Stoilkoviqit në krye të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe po aq problematik është edhe propozimi për Ministrinë e Drejtësisë, thonë nga BDI duke adresuar kritika edhe për Ministrinë e Shëndetësisë.
ARBANA PASHOLLI – BDI
Rasti i parë është Ministria e Shëndetësisë. Ministri aktual po largohet nga detyra pa realizuar pothuajse asnjë nga premtimet që VLEN ua dha qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore. As reforma, as investime të premtuara, as përmirësim i shërbimeve shëndetësore. Pas një viti dështimesh, përgjigjja e vetme e Qeverisë është zëvendësimi i ministrit, jo korrigjimi i politikave të gabuara.
Qytetarët me të drejtë pyesin: Ku mbetën 74 milionëEuro për Spitalin klinik në Tetovë? Ku mbeti parku memorial për spitalin modular?
Poashtu,
Kur jemi te Ministria e Shëndetësisë, largimi i ministrit nuk është rezultat i përmbushjes së objektivave, por pranim i dështimit të plotë. Ministri largohet pa realizuar asnjë nga premtimet kryesore me të cilat VLEN kërkoi votën e qytetarëve.
VLEN premtoi:
* ndërtimin e gjashtë spitaleve rajonale në rajonet ku jetojnë shqiptarët;
* ndërtimin e Qendrës Klinike Universitare (spital terciar) në Tetovë, si qendër moderne për të gjithë rajonin perëndimor;
* kontrolle shëndetësore falas një herë në vit për çdo qytetar;
* pajisjen e çdo komune shqiptare me qendër të urgjencës dhe autoambulancë;
* hapjen e një qendre për trajtimin e plagëve dhe djegieve, në mënyrë që pacientët të mos detyrohen të kërkojnë trajtim jashtë vendit.
Sot, pas më shumë se dy vite qeverisje, asnjë prej këtyre premtimeve nuk është bërë realitet. Nuk ka gjashtë spitale rajonale, nuk ka Qendër Klinike Universitare në Tetovë, nuk ka kontrolle shëndetësore falas për të gjithë qytetarët, komunat nuk janë pajisur me qendra urgjence dhe autoambulanca sipas zotimit, ndërsa qendra e specializuar për trajtimin e plagëve dhe djegieve mbetet vetëm një premtim i pambajtur.








