Rreth 11 milionë euro janë investuar në Qendrën e re TIK për ruajtjen dhe mbrojtjen e të dhënave dhe rikuperimin nga fatkeqësitë në Prilep. Atë sot e vizitoi kryeministri Dimitar Kovaçevski, së bashku me ministrat e Punëve të Brendshme dhe të Transportit dhe Lidhjeve, Oliver Spasovski dhe Blagoj Boçvarski. Fondet për këtë projekt janë siguruar përmes programit IPA të BE-së dhe nga buxheti i Ministrisë së Brendshme.
Vendi mori një objekt me pajisjet më të sofistikuara, sipas standardeve më të larta të sigurisë, gjë që e bën këtë qendër TIK të parën e këtij lloji në rajon të ndërtuar për nevojat e shtetit.
“Dëshiroj të theksoj me kënaqësi të madhe se kjo qendër është e një rëndësie jetike për shtetin sepse me themelimin dhe formimin e saj në tërësi sigurojmë mbrojtjen afatgjatë të të dhënave të qytetarëve, e me këtë edhe mbrojtjen e përhershme të sistemit tonë të sigurisë. tha kryeministri Kovaçevski.
Ky objekt i sofistikuar ka të gjitha nivelet e nevojshme të mbrojtjes dhe mund të ofrojë shërbime jo vetëm për Ministrinë e Brendshme, por edhe për institucionet e tjera shtetërore në vend.
“Me Qendrën TIK siguruam një investim të përhershëm për ruajtjen e të dhënave nga sistemi parësor informativ në rast të fatkeqësive të mundshme natyrore apo të shkaktuara nga njeriu”, tha Kovaçevski në Prilep.
Kryeministri shtoi se qeveria po i përgjigjet sfidave moderne, si siguria kibernetike dhe abuzimet në sferën e internetit, të cilat mund të kërcënojnë seriozisht sigurinë kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.
Ai përkujtoi se para një muaji është vënë në përdorim objekti i ri për ekspertizë mjeko-ligjore, i cili është më i madhi në rajon dhe i pari i këtij lloji.