22/02/2024
12.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nëntori muaji i shqiptarëve, edhe ky 28 Nëntor do të festohet pa qenë festë zyrtare në RMV!

Festat e nëntorit janë të një rëndësie të veçantë për shqiptarët sepse shënojnë data historike kombëtare. Sipas ligjit për festa në Republikën e Maqedoninë së Veriut ditë feste është 22 nëntorit që shënon Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Por, në realitet nëntori konsiderohet si muaji i shqiptarëve, dhe si ka mundësi që në Maqedoninë e Veriut për etnitetet tjera të shënohen ditët e pavarësisë së shteteve amë, ndërkaq 28 Nëntori, Dita e pavarësisë së Shqipërisë, të mos shënohet si ditë feste për shqiptarët?!. Kjo mbase është edhe një vulosje e asaj që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut akoma nuk janë të përfaqësuar sa e si duhet. Ndryshe, edhe përkundër faktit që 28 Nëntori nuk është festë zyrtare në vend vazhdon të festohet e të shënohet nga gjithë shqiptarët në gjitha format që kanë mundësi, duke filluar nga shkollat, OJQ-të, studentë e politikanë gjithandej, Këta të fundit e kanë edhe për obligim të shtyjnë procesin e zyrtarizmit të kësaj dite si ditë jo pune për shqiptarët. E shumë biznese në sektorin privat këtë ditë vetvetiu e shpallin si ditë jo pune për punëtorët shqiptarë, shkruan Zhurnal.

Shqiptarët diskriminohen edhe në ditë festash-

Përderisa, 8 prilli është përcaktuar si ditë ndërkombëtare e romëve dhe si e tillë festohet në RMV, 23 maji dita nacionale e vllehëve, e 28 shtatori si dita ndërkombëtare e boshnjakëve, 28 Nëntori është ditë e zakonshme pune për të gjithë qytetarët e RMV-së, pa çka se është dita e pavarësisë së Shqipërisë dhe se në Maqedoninë e Veriut populli shqiptarë është popull shtetformues kjo nuk e ndryshon aspak këtë qasje.

Shqiptarët siduket në Maqedoninë e Veriut janë mësuar e adaptuar me diskriminim në gjitha nivelet dhe rastet, dhe kjo ka ndikuar mos jetë pengesë që edhe dita që shënon çlirimin e pavarësimin e shtetit Shqiptar të mos jetë festë mbarë kombëtare. Sektori privat është ai i vetmi që ua mundëson shqiptarëve të kenë e shijojnë si ditë feste këtë ditë të shenjtë dhe me peshë të madhe.

Përse shqiptarët nuk kërkojnë që 28 Nëntori të jetë ditë feste në Maqedoninë e Veriut?

Nuk ka shqiptarë që me të vërtetë është shqiptarë dhe jeton si i tillë që festën e 28 Nëntorit nuk do të kishte dashur ta ketë festë shtetërore dhe ditë pushimi që të ndjejë e festojë sipas traditës. Por, në RMV situata është ndryshe që të zgjedhurit e popullit jo çdoherë zgjedhin atë që ka nevojë dhe e dëshiron populli, kjo pasi për pasojë bie ndesh me palën tjetër. Politikanët shqiptarë përgjatë periudhës sa janë në pushtet asnjëherë nuk e ngrisin si çështje faktin që edhe në ditë festash diskriminohen shqiptarët.

Ministria e Punës dhe politikës sociale, ka vendosur që për shqiptarët të jetë vetëm një ditë feste ajo e 22 Nëntorit që ndryshe është Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, kjo krijon dilema pse pikërisht këtë ditë dhe pse jo edhe 28 Nëntori?. Mbase, mund të jetë fakti që edhe pse e përcaktojnë Ditën e Alfabetit si ditë feste ata e dinë dhe janë të kënaqur që statusi i gjuhës shqipe po vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme, me fjalë të tjera të festojnë shqiptarët për mjerimin në të cilin e kanë gjuhën e tyre.

Defaktorizimi i spektrit politik shqiptarë krijon hapësirë për diskriminime të natyrave të ndryshme-

Populli shqiptarë në Maqedoninë e Veriut “përfaqësohet” nga 10 parti politike, numër shumë i madh që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në përçarjen e votës shqiptare dhe defaktorizimin që pastaj si rrjedhojë sjellë mungesën e të drejtave elementare, kur flasim për zbatimin e gjuhës shqipe, si dhe festimin e festave mbarë kombëtare.

Shqiptarët në këtë vend janë diskriminuar përgjatë viteve në mënyra të ndryshme, duke penguar arsimin shqip, valëvitjen e flamurit shqiptarë, përdorimin e gjuhës shqipe, punësimin e shqiptarëve nëpër institucionet e shtetit, e gjithkund tjetër pra kudo që ka qenë e mundur janë diskriminuar dhe përjashtuar në mënyrat më barbare.

Ajo që është më shqetësuese se diskriminimi që i është bërë shqiptarëve përgjatë viteve nga pala maqedonase, është heshtja e autoriteteve të Shqipërisë, që me dy këmbë kanë shkelë edhe nenin 8 të Kushtetutës, sipas të cilët nen Shqipëria është e obliguar të kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve fizik të Shqipërisë.

Ndryshe, festën e 22 Nëntorit shqiptarët e festojnë duke kujtuar që gjuha e tyre është e “përdhosur” dhe “sakatuar”, që ligjërisht figuron si gjuha e dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq praktikisht është gjuha e cila në Kushtetutë definohet me përqindje, në përdorim është e anashkaluar.

Megjithatë, për dallim prej festës së 22 Nëntorit, shqiptarët në këtë vend festën e 28 Nëntorit apo ndryshe Ditën e Flamurit mund ta festojnë vetëm pasi të përfundojnë orarin e punës aty ku janë të angazhuar, pasi nuk ka ditë pushimi në këtë ditë feste. Pra, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dita e pavarësisë së Shqipërisë është ditë e zakonshme pune, sikurse ditët tjera, e kjo krejt fal defaktorizimit të politikbërësve shqiptarë si dhe mos interesimit të Shqipërisë. /Zhurnal.mk

Të fundit