05/03/2024
12.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nëse Kuvendi i ASH-së vendosë që të dalë me BDI-në, Arben Taravari thotë se do ta respektonte këtë vendim

Me sa duket gjërat në Aleancën për Shqiptarët po bëhen të qarta. Pas informacioneve të vazhdueshme për mendime ndryshe në parti se si të dilet në zgjedhje – vetë, me BDI-në apo me LEN-in, sot kryetari i ASH-së Arben Taravari pohoi se do të pajtohet me vendimin e Kuvendit Qendror të partisë se si do të dilet në zgjedhje.

“Unë e respektoj vendimin e organeve partiake. Kështu që sido që të vendosë Kuvendi, ashtu do të veproj. Pa diskutim! Nuk është tash, por çdoherë kështu kemi vepruar”, tha Taravari.

Tash për tash ASH ka vetëm një vendim të kryesisë partiake që në zgjedhje të dilet vetë, pa hyrë në koalicion parazgjedhor, por Taravari shprehet se Kuvendi mund të sjellë vendim ndryshe.

“Do t’i shohim rrethanat. I dëgjojmë edhe rekomandimet, por në fund në Kuvend sillet vendimi definitiv. Mund të jetë i njëjti por mund të jetë edhe i ndryshëm, varësisht prej kuvendarëve”, u shpreh më tej Taravari.

Jozyrtarisht deri më tani është marrë vesh se Taravari është i qëndrimit që në zgjedhje të dilnin bashkë me opozitën shqiptare, Lidhjen Europaine për Ndryshim, e nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit partiak, Ziadin Sela, i qëndrimit që të dilet me të a.q. Front Europian, ku është edhe BDI-ja.

Sela mbrëmë në një intervistë për Alsat tha se është idhtar i idesë që në zgjedhje të dilet vetë dhe se i të njëjtës bindje është edhe Arben Taravari. Por pos kësaj, gjatë intervistës Sela disa herë përmendi koalicionet politike të ASH-së në të kaluarën, duke shtuar se e kaluara vlen shumë që të mos bëhen gabime në të ardhmen, e duke aluduar këtu tek opozita shqiptare për të cilën tha se “nuk e di se çfarë garancie mund te japin tek ASH, kur ata nuk garantojnë dot veten”.

Po sa ka shanse që ASH të ndahet në dysh, ca me Frontin Euorpian e ca me bllokun opozitar?

“Unë nuk e besoj, por e dini si, partitë politike…mund të ketë lëvizje, njerëz që mendojnë ndryshe ka pasur vazhdimisht, dikush ka hyrë, dikush ka dalë, kështu që unë mendoj se do të respektohen vendimet e organeve partiake. Nëse ka dikush që e sheh më ndryshe sesa vendimi i organeve partiake, s’kemi çfarë të bëjmë”, shtoi Taravari.

Vendimin final ASH pritet ta marrë javën e ardhshme.

Të fundit