Të tjera lajme

Nesër fillon Festivali i Filmit Watchout në Tetovë: Në fokus guximi dhe ndryshimet përmes artit, ja çfarë ju pret deri të shtunën

Nesër (18 qershor) në Tetovë do të fillojë edicioni i 14-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit WatchOut i cili do të zgjasë deri të shtunën (21 qershor) . 

Shfaqjet e filmave do të mbahen për katër ditë me radhë, duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin përballë Muzeut të Partisë Komuniste, në Tetovë.

Të gjithë filmat do të shfaqen në versionin origjinal me përkthim në gjuhën angleze. Ndërsa hyrja është falas. 

Në rast reshjesh, projeksionet do të zhvillohen në Qendrën LOJA, në hapësirat e saj multifunksionale: Kinemaja e xhepit dhe Community Room. 

Këtë vit festivali ka pranuar 892 filma nga 95 shtete dhe 6 kontinente.

Juria e këtij viti e përbërë nga Sinolicka Trpkova (aktore dhe profesoreshë universitare) – Maqedonia e Veriut, Mario E. (gazetar i pavarur dhe fotograf) – Gjermania dhe Visar Krusha (skenarist dhe producent) – Kosova, kanë shpërblyer filmat vijues.

  • Filmi i shkurtër artistik: The Man Who Could Not Remain Silent, Nebojša Slijepčević, Kroaci. 
  • Filmi eksperimental dhe animacion: Jus D’orange (Lëngu i portokallit), Alexandre Athané, Francë / Poloni. 
  • Filmi dokumentar: Captive Women, Itxaso Díaz, Spanjë. 

Edicioni i sivjetëm do të shoqërohet nga punëtori të ndryshme dhe koncert, të cilat do të zhvillohen në hapësirat e Qendrës LOJA. 

“Temat që trajtohen sivjet janë guximi, mos heshtja, këtu vijmë te mundësitë të cilat i krijon arti, si përmes filmit mund të kapen edhe përcillen këto raste kur guximi ka qenë kyç”, tha Bujar Luma, drejtor i LOJA-s.

Stafi i LOJA-s dhe vullnetarët për Festivalin e 14-të të Filimit WatchOut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Stafi i LOJA-s dhe vullnetarët për Festivalin e 14-të të Filimit WatchOut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ky edicion do të fokusohet në ndikimin e artit dhe rolin e kinematografisë në formësimin e perspektivave dhe frymëzimin e ndryshimeve.

“Temat që janë pjesë e festivalit janë tema të përditshmërisë, tema që lidhen me konfliktet që janë tani në botë, tema që kanë të bëjnë me guximin dhe aktivizmin dhe me rëndësinë e asaj se si ne mund të sjellim ndryshim përmes artit”, tha Egzona Musliu, nga stafi organizativ i festivalit.

WatchOut! Tetovo Film Festival është një festival ndërkombëtar në ambient të hapur, i organizuar nga Qendra LOJA dhe mbështetur nga Goethe-Institut Shkup dhe KURVE Wustrow – (projekti CPS, përmes BMZ). 

Festivali nuk ka përkrahje nga institucionet vendase.

Më poshtë e gjeni konferencën e plotë për shtyp nga ekipi i festivalit.Portalb.mk

Të fundit