Të tjera lajme

NJËSI KUNDËR ZJARRIT NË TEARCË, REAGIM I SHPEJTË NË RASTE EMERGJENTE

Pas më shumë se dy dekadash kërkesash të vazhdueshme nga banorët e komunave të Tearcës dhe Jegunocit për një njësi më të afërt të mbrojtjes nga zjarri, sot më në fund kjo nevojë jetike u bë realitet. Hapja e kësaj njësie përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm për gjithë rajonin, duke synuar rritjen e nivelit të sigurisë publike dhe përmirësimin e reagimit institucional në rastet e emergjencave. Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në shkurtimin e kohës së intervenimit në raste zjarresh apo fatkeqësish të tjera, duke qenë se deri më tani banorët e këtyre zonave janë përballur me vonesa për shkak të distancës nga njësitë ekzistuese. Me funksionalizimin e këtij nënstacioni, autoritetet synojnë të ofrojnë një mbulim më efikas dhe më të shpejtë për qytetarët.

Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami thotë se shkurtimi i kohës së intervenimit në raste të zjarrit ose fatkeqësive do të thotë shumë për sigurinë e qytetarëve.

Kreu i komunës së Tearcës, Daut Memishi, theksoi rëndësinë e këtij projekti, duke e cilësuar atë si një ndër investimet më të rëndësishme për komunitetin lokal në vitet e fundit.

“Pas shumë vitesh pritje premtime e mos realizim, sot më në fund po bëjmë një hap të rëndësishëm për sigurinë, e mirëqenien për gjithë banorët tanë. Sot po e hapim njësinë kundër zjarrit edhe në komunën e Tearcës. Ky nuk është vetrëm një investim i thjeshtë, por është një investim për sigurinë e qytetarëve tanë”.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Jegunocit, Dime Konstadinoski, vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërkomunal dhe realizimit konkret të politikave të decentralizimit, duke shtuar se projekte të tilla janë dëshmi e angazhimit për zhvillim të qëndrueshëm rajonal.

“Kjo është dëshmi se punojmë në interes të banorëve dhe decentralizimin nuk do e kemi vetëm në letër por edhe në realitet dhe do punojmë edhe në projekte tjera që bashkë do i realizojmë në periudhën e ardhshme që do jenë në interes edhe të Pollogut edhe komunës së Jegunocit”.

Sipas autoriteteve kompetente, njësia e re do të fillojë punën me kapacitete të kufizuara, duke përfshirë një staf fillestar prej tetë zjarrfikësish dhe funksionim në një ndërrim të vetëm. Kjo fazë fillestare do të shërbejë për të testuar funksionalitetin dhe nevojat reale në terren, me plan që në të ardhmen të zgjerohet në shërbim 24-orësh.

“Në këtë nënstacion të komunës së Tetovës këtu në Tearcë do të ketë të punësuar tetë persona që do jenë për momentin me vetëm një ndrrim derisa ta shihet funksionaliteti sakt dhe më pastaj të bëhet edhe shërbim 24 orësh”.

Autoritetet lokale gjithashtu kanë bërë të ditur se ky nuk do të jetë projekti i vetëm i këtij lloji. Në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës së sigurisë dhe shërbimeve emergjente në rajonin e Pollogut, pritet që shumë shpejt të hapet edhe një njësi e ngjashme e shpërndarë në komunën e Bogovinës.

Ky hap konsiderohet si një tregues i qartë i përkushtimit institucional për të rritur sigurinë e qytetarëve dhe për të sjellë shërbime më pranë tyre, duke i dhënë fund një pritjeje të gjatë dhe duke hapur rrugën për investime të tjera në të ardhmen.

Të fundit