16/04/2024
14.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nuk pashë kurrë paqe – shuhet shkrimtari i shpresës

Abraham Yehoshua, shkrimtar i mirënjohur izraelit, vdiq mëngjesin e sotëm, në moshën 85-vjeçare.

“Nuk pashë kurrë, një ditë paqeje”, – do shprehej ai që besonte në paqen e mundshme, midis Izraelit dhe Palestinës./Konica.al

Për dekada, Yehoshua pati qenë një apostull i flaktë i zgjidhjes me negociata të konfliktit izraelit-palestinez, së bashku me dy shkrimtarët e famshëm izraelitë: Amos Oz dhe David Grossman. Me kalimin e kohës, që të tre u shndërruan në pikë referimi konstante për të majtën sioniste dhe opinioni i tyre pyetej shpesh – në Izrael dhe jashtë tij – për ngjarjet aktuale.

Të bisedoje me të, ishte si të lexoje një nga librat e tij të mrekullueshëm. Vëzhgonte metamorfozat e atdheut dhe shpesh të krijonte përshtypjen se kishte ndërruar mendim sa i përket zgjidhjes së ekuacionit të vështirë midis hebrenjve dhe arabëve, si dhe bashkëjetesës paqësore. Një zë i qetë, por i fortë. Çdo bashkëbisedim, çdo intervistë, dhuronte njëherazi siguri dhe pasiguri.

Mbi të gjitha shpresë.
Ai që nuk ndryshon mendim, është si ai marinari, që, duke mos i drejtuar si duhet velat, nuk do të arrijë kurrë në port”, i pëlqente të përsëriste. “Kur vendosa të verifikoj me ndershmëri dhe besnikëri idetë dhe opinionet që kisha mbështetur prej vitesh për tema nga më të ndryshmet, kuptova se edhe tek unë kishin ndodhur ndryshime dhe jo të parëndësishme”.

Për Alef Bet (në Izrael e thërrisnin përzemërsisht, me dy shkronjat e para të alfabetit), kishte shumë siguri dhe pasiguri për të ardhmen e vendit të tij. Po ashtu edhe për realitetin, mes frikës dhe shpresave, të hebrenjve të diasporës pas tragjedisë së Holokaustit. Nga mënyra e komunikimit, thuajse gjithmonë pa arrogancë dhe mburrje, ai zbulon edhe origjinën sefardite. I ati ishte profesor universiteti. Ai lindi në vitin 1936 në Jeruzalem, ku nëna ishte vendosur nga Maroku, para disa vitesh.

“Çfarë është për mua, Jeruzalemi? Është qyteti ku kam lindur. Familja ime jeton aty, që nga fillimi i shekullit. Im atë ka shkruar dymbëdhjetë libra mbi komunitetin sefarditë në Jeruzalem, duke marrë të dhëna pleqtë, duke mbledhur historitë e tyre, duke përshkruar zakonet dhe festat, veçanërisht marrëdhëniet me arabët. Në librin “Zoti Mani”, katër nga pesë protagonistët janë nga Jeruzalemi. Jeruzalemi, nuk është vetëm qyteti i fëmijërisë sime, është edhe qyteti im letrar, burimi i energjisë së nevojshme për të treguar histori”.

Autori ka shkruar edhe “Udhëtim në fund të mijëvjeçarit”, “Lavdërime normalitetit”, “Dashnori”, “Zjarri mik”, “Divorci i vonuar”, “Vajza e vetme” etj./Konica.al

Të fundit