23/10/2024
11.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nuk respektuan uljen e çmimeve – Mbyllen pesë markete të mëdha në Shkup

Marketet që gjatë fundjavës nuk i respektuan masat për ulje dhe ngrirje të çmimeve, do të qëndrojnë të mbyllura për 5 ditë. Pesë prej tyre i takojnë rrjeteve gjigande në tregun e industrisë ushqimore në Shkup, shkruan Alsat.

Autoritetet thonë se brenda një dite fundjave u kryen 50 kontrolle dhe u mbyllën 5 prej tyre, dhe 7 të tjera u gjobiten me para, të cilat nuk kishin ulur çmimet e 25 produkteve për 10% sipas çmimit të 1 Gushtit.

Mbyllje prej 5 ditëve do të pasojë edhe për çdo shkelës tjetër. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se do të ketë zero tolerancë për çdo shkelje, prej ku bën thirrje që përveç qytetarëve të bashkëpunojnë edhe mediat në detektimin e manipulatorëve në treg.

“Nga 8 deri 10 rrjete të super marketeve kanë pothuajse në çdo qytet pika të shitjes që nënkupton 10 markete në çdo qytet, vetëm prej atyre rrjeteve. Ata marrin pjesën më të madhe të të hyrave nga industria ushqimore dhe është logjike që Inspektorati shtetëror i Tregut të filloj të bëj inspektime nga ato që janë më të mëdhatë dhe konsumi është më i lartë nga klientët e vendit tonë dhe kjo do të vazhdoj deri në fund të masave”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Brenda pesë ditëve janë denoncuar qindra raste nga i gjithë vendi në linjën pa pagesë 02-191, për raste të mos ndryshimit të çmimeve dhe mungesës së mallit, e cila duhet të ketë furnizim së paku 70% gushtit.

Sipas dispozitave aktuale ligjore, mbyllja e një pike të shitjes me shumicë dhe me pakicë mund të bëhet nga 3-30 ditë. Por, kjo është masë “drakonike” sipas Odës Ekonomike. Antoni Peshev nga kjo odë tha se është dashur tu jepet më shumë kohë marketeve që ti ndërrojnë çmimet e 1,200 artikujve nëpër rafte.

“Mendoj se atë askush nuk e ka bërë me qëllim dhe nuk duhet të keqpërdoret. Mendoj se masa është ‘drakonike’ dhe e panevojshme, e cila shkakton dëme. Ministria ka mundësi ti mbyllë objektet, por mendoj se ajo duhet të jetë masa e fundit, për të cilën autoritetet duhet ta shqiptojnë. Shpresoj që me një dialog bashkëpunues gjatë ditës do të gjejmë mënyrë si të rinisin objektet të punojnë dhe të merremi vesh në çfarë dinamike do të plotësohen lëshimet që janë evidentuar”, u shpreh Antonio Peshev, Drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike e Maqedonisë.

Nesër në Seancë Qeveritare do të merret një vendim i ri për uljen e çmimeve të pijeve të ambalazhuara. Edhe prodhuesit e tregtarët të këtij sektori janë pajtuar që të ngrihen çmime me ulje për 10%  të pijeve alkoolike dhe joalkoolike.

Një analizë nga Drejtoria e Doganave po bëhet edhe për lëndët kimike të pastërtisë, produktet higjienike se në çfarë mënyre ti përfshihen në një vendim të ri për ulje të çmimeve. / Alsat.mk

Të fundit