19/05/2024
19.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nuredini: Kanioni i Matkës si zonë e mbrojtur ka mundësi të bëhet një nga destinacionet kryesore të eko-turizmit në vend

Pas një procesi të gjatë konsultativ, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në debatin e djeshëm publik prezantoi Draft-Ligjin për shpalljen e Kanionit të Matkës Monument të Natyrës, i cili propozon kategorinë e mbrojtjes, zonimin e zonës së mbrojtur, si dhe mënyrën e menaxhimit.

Debatin e hapi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, i cili theksoi se Kanioni i Matkës është një nga lokalitetet natyrore më specifike dhe unike në vend.

– Pasuria e vlerave natyrore dhe kulturore e konsiderojnë Kanionin e Matkës një nga objektet më përfaqësuese të natyrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut – tha Nuredini, duke theksuar se pamjet e bukura, pasuria e objekteve speleologjike, veçanërisht shpellat, bota unike e gjallë, pasuria kulturore dhe shpirtërore, si dhe afërsia me qytetin e Shkupit ofrojnë mundësi të panumërta që Kanioni i Matkës të bëhet një nga destinacionet kryesore të eko-turizmit në vend.

– Qëllimi ynë është të mbrojmë pasurinë të cilën na e ka dhuruar natyra, por në një mënyrë që të mundësojë zhvillim të qëndrueshëm dhe prosperitet socio-ekonomik për banorët – iu përgjigj Nuredini pyetjes së një banori të fshatit Glumovë për ndikimin e shpalljes për zonë të mbrojtur mbi jetën e popullsisë vendase dhe aktivitetet e tyre të përditshme.

Draft-Ligji parasheh që Monumenti i Natyrës Kanioni i Matkës të menaxhohet nga Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me komunën e Sarajit.

– Jemi të kënaqur që për këtë propozim morëm mendim pozitiv si nga Qyteti i Shkupit ashtu edhe nga komuna e Sarajit, në të cilën gjendet ky Monument i vlefshëm i Natyrës. Mënyra e menaxhimit do të jetë temë e diskutimit kur organi menaxhues të hartojë Draft-Planin e Menaxhimit për të cilin do të konsultohet edhe publiku – tha ministri Nuredini.

Prezantim për vlerat natyrore dhe mënyrën e zonimit kishin Vasil Atanasovski, këshilltar konservator për gjeovlera dhe biodiversitet për Kanionin e Matkës, prof.dr Ivica Milevski, profesoreshë ordinare në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dhe mbi Draft-Ligjin përfaqësues të MMJPH-së.

Hartimi i Draft-Ligjit për shpalljen e Kanionit të Matkës Monument i Natyrës është në kuadër të aktiviteteve të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për valorizimin apo rivalorizimin e zonave të mbrojtura dhe përmbushjen e detyrimeve nga Ligji për Mbrojtjen e Natyrës, Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen e Natyrës me Plan Veprimi (2017-2027) dhe Strategjisë Kombëtare të Biodiversitetit për periudhën (2018-2023). /politiko.mk/

Të fundit