10/05/2024
13.2 C
Tetovo
Ballina Blog Faqe 1742

Qeveria mban mbledhje në Manastir, Duraku viziton Muzeun e Alfabetit

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot në ndërtesën e Komunës së Manastirit do të mbajë seancën e saj të rregullt të 159-të.

Me këtë seancë të parë në kuadër të asaj që periudhën e ardhshme do të mbahen nëpër rajone të ndryshme të shtetit, siç informojnë nga Pres shërbimi qeveritar do të kryesojë kryeministri Zoran Zaev, ndërsa në të do të marrin pjesë të gjithë ministrat, ndërsa si mysafirë do të marrin pjesë kryetarët e komunave të rajonit të Pellagonisë, nga komunat e Manastirit, Prilepit, Krushevës, Krivogashtanit, Dollnenit, Novacit, Mogillës dhe Demir Hisarit.

Në këtë seancë, prioritet do të kenë informacionet për projekte me interes të menjëherëshëm te qytetarëve në këto komuna.

Zëvendëskryeministri dhe ministri për sistem politik, Sadulla Duraku do të vizitojë Muzeun e Kongresit të Alfabetit. Ministri i Arsimit, Arbër Ademi do të qëndrojë në dy shkolla në Manastir dhe rrethinë.

Para fillimit të seancës, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev dhe zëvendësministri për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Jani Makraduli do ta vizitojnë REK Manastir ku do të promovojnë masën e klimave inverter në prani të kryetares së komunës së Manastirit, Natasha Petrovska.

Ministri për Transport dhe Lidhje Goran Sugarevski si dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanov bashkë me kryetaren e komunës Petrovska do të kryejnë mbikëqyrje të punëve në rehabilitimin e rrugës rajonale Prilep- Topolçani- Manastir, ndërsa ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe do të vizitojë Shtëpinë e Shëndetit në Manastir, ku para një muaji është lëshuar në përdorim Shërbimi i rinovuar për ndihmë të shpejtë mjekësore.

Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale Milla Carovska, bashkë me kryetaren e komunës Petrovska do të vizitojë disa shtëpi të vogla grupore në komunë, derisa zëvendësministri për Mjedis Jetësor Jani Makraduli bashkë me Petrovskën do të kryejë mbikëqyrje në ndërtimin e stacionit pastrues për ujëra të zeza në fshatrat Tërnovë dhe Magarevë.

Zaev premton se do ta mbështesë idenë e Kurtit për hapjen e rrugës Tetovë – Prizren

Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e gatshme që të bashkëpunojë me Republikën e Kosovës për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, ashtu siç është e gatshme të bashkëpunojë me të për çfarëdo qoftë teme tjetër.

Kështu ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev duke ju referuar deklaratës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka thënë se pas marrjes së mandatit si kryeministër, rruga Tetovë- Prizren do të jetë një prej punëve të para që do të bëjë në bashkëpunim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Zoran Zaev, Kryeministër: Dua që t’i shoh të gjitha paramentrat dhe nevojën për ndërtimin e rrugës Tetovë- Prizren, ne jemi në dispozicion, kapaciteti financiar i shtetit është serioz, e veçanërisht për infrastrukturë, duam të alokojmë mjete, por gjithsesi i alokojmë në pajtueshmëri me parametrat, nevojën për lëvizje, nevojën për përdorim, duke pasur parasysh se ndërtojmë zgjidhje të tilla të autostradave, se ekzistojnë edhe rrugë të tjera që na lidhin me fqinjët dhe të ngjajshme. Në pajtueshmëri me këto do t’i sjellim vendimet, por nëse do të bashkëpunojmë me Republikën e Kosovës, po, ose për këtë temë, ose për çfraëdoqoftë tjetër.”

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një prononcim për mediat, mbrëmë, ka deklaruar se një prej punëve të para që do të bëjë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut do të jetë ndërtimi i rrugës Tetovë- Prizren.

Politika s’ka zgjidhje për ndaljen e ikjes së të rinjve

Politikat e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nuk arrijnë të prodhojnë efektin e duhur për të ndalur rrjedhën e largimit të grupmoshave të reja nga shteti, theksojnë organizatat joqeveritare që në fokus kanë të drejtat e të rinjve.

Këto komente vijnë pasi në raportin e fundit të Bankës Botërore i cili u prezantua të martën, është theksuar se rreth gjysmë milioni e popullatës së përgjithshme në Maqedoninë e Veriut është larguar nga vendi, prej të cilëve një e treta është kuadër me arsim të lartë.

Bllazhen Malevski nga organizata “Reaktor”, thotë se shumë problematike paraqitet dhe mungesa e një regjistri nga ana e institucioneve të shtetit në Maqedoninë e Veriut për të ditur saktë numrin e të rinjve që të ardhmen e tyre e ndërtojnë në ndonjë nga vendet e zhvilluara të Evropës.

Ai njëherësh thekson se strategjia qeveritare për të rinjtë nuk jep rezultate në praktikë duke siguruar një të ardhme më të mirë për ta.

“Në praktikë shohim një sistem i cili nuk arrin që përmes politikave konkrete të realizojë kërkesat thelbësore të të rinjve që janë jetike për perspektivën e tyre në shekullin 21. Trendi i largimit të të rinjëve nga Maqedonia e Veriut sigurisht se do të vazhdojë.

“Strategjia e qeverisë e miratuar para tre vitesh për të ndalë hovin e largimit e kuadrit me arsim të lartë duket qartë se nuk ka dhënë rezultate“, thekson Malevski.

Ndërkaq Sefer Selimi, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Democracy Lab’, për Radion Evropa e Lirë thotë se nuk është vetëm aspekti financiar që i detyron të rinjtë që perspektiven e tyre ta shohin jashtë shtetit.

Ai si shumë problematike e sheh mungesën e mundësive të barabarta për ngritjen në karrierë dhe ndërtimin e perspektivës, si dhe shërbimet jo të mirëfillta në sistemin e shëndetësisë, arsimor dhe të tjerë.

“Është për tu theksuar se nga shteti nuk largohen vetëm ata që kanë probleme financiare apo ata që nuk kanë një punë të sigurt në shtet, por edhe ata që kanë një punë në institucionet e shtetit me të ardhura të garantuara për një jetë normale në Maqedoninë e Veriut”.

“Kjo është një indikator se të rinjtë dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut përveç se përpos aspektit social kërkojnë dhe siguri, kërkojnë dhe një funksionim të mirë të shtetit, që nënkupton shërbime më të mira në sistemin shëndetësor, sundimin e drejtësisë”, thotë Selimi.

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, përmes rrjetit social Facebook, brenda kësaj jave ka theksuar se lajmet e mira, që kanë të bëjnë me fillimin e bisedimeve me BE-në si dhe anëtarësimi i vendit në NATO paraqesin mesazhe të fuqishme për rininë që perspektivën e tyre ta shohin në Maqedoninë e Veriut duke intensifikuar angazhimin e të rinjve në cdo pore të shoqërisë.

“Besoj se lajmi i mirë nga Brukseli pozitivisht do të ndikojë mbi tërë rajonin, do të dërgohet mesazh se Ballkani Perëndimor është pjesë integruese e Evropës, do të shpërblehet përparimi i reformave dhe zgjidhja e çështjeve të rënda”, ka thënë Zaev. (Radio Evropa e Lire)

Franca shtynë vendimin për Maqedoninë e V. dhe Shqipërinë për në 2020

Franca ka prezantuar propozimin e saj konkret për hapjen e negociatave të anëtarêsimit me Shqipërinë dhe Maqedoninê.

Ky propozim mbështetet në dy boshte. Sê pari, ai lidhet me përmbushjen e kritereve kyçe që kanë të bëjnë me respektimin e shtetit tê së drejtês, luftês kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe së dyti me reformën e procesit të zgjerimit tê Bashkimit Europian.

Franca konsideron se para se të hapen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninê e Veriut duhet të plotësohen kushtet përkatêse. 1 Shqipëria duhet tê zbatojë refomën në drejtësi dhe 2. reformën zgjedhore, ndërkohë që Maqedonia e Veriut duhet të bêjë progres me çështjen e prokurorisë speciale.

Franca mbêshtet kështu qëndrimin e Gjermanisë për kushtêzimin për Shqipërinë, por është më e nuancuar dhe më kritike lidhur me problemet e korrupsionit dhe krimit tê organizuar në Shqipëri, progresin konkret të bërë në reforma në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut dhe konsideron, se ka një këndvështrim më realist mbi situatën politike në tê dyja vendet.

Për Francën, hapja e negociatave të anëtarësimit shtyhet ne 2020 për tê dyja vendet pasi të jenë përmbushur kushtet e mësipërme.

Nga ana tjetër, Franca kërkon tê ndryshojë proçesin e zgjerimit, i cili deri tani sipas saj nuk ka dhënë frytet e pritshme. Qeveria franceze ka një vlerësim më të nuancuar dhe më pak optimist se Komisioni Europian pêr zgjerimin.

Qëndrimi i qeverisë franceze bën tê kuptohet, se vlerësimi i Komisionit Europian është tepër mekanik, teknokrat dhe ndarja e kornizës negociuese në 35 kapituj nuk ka dhënë frytet e pritshme.

Sipas Francês, procesi i zgjerimit për Komisionin e ri Europian duhet tê jetë më gradual, më i kontrolluar edhe të përfshijê edhe ekspertizën e shteteve anëtare, në mënyrê që progresi që do përftohet të japë rezultate.

*Erisa Zyka, korrespondente e Tv Klan Maqedonia nga Brukseli

Kurti: Do të bashkëpunoj me partitë shqiptare dhe kryeministrin Zaev

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë në TV Klan në emisionin Opinion ndër të tjera ka thënë se do të ketë një bashkëpunim të mirë me partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut si dhe me kryeministrin Zoran Zaev, transmeton agjencia e lajmeve INA.
Kurti po ashtu ka theksuar se do të thellojë bashkëpunimi me Shqipërinë duke punuar për një bashkim doganor dhe treg të përbashkët. Kurti gjithashtu ka theksuar se do analizoj marrëveshjet mes dy vendeve që janë nënshkruar deri më tani për të gjetur mekanizmat për ti zbatuar. (INA)

Mile Jovanovski, babai i Boki-13, u shpreh se nuk ndjen faj

Nuk ndjej faj dhe nuk kam ndjerë në mbledhjet për ndërtimin e shtëpive si pjesë e Lidhjes Ndërkombëtare, tha babai i Boki-13, Mile Jovanovski në dalje nga Gjykata Penale.

Përveç Jovanovskit, sot në Gjykatën Penale ishte edhe deputetja Frosina Remenski prejse dje ishte shpallur nga Prokuroria Publike se hetimi për rastin “Reket” është përhapur edhe në Lidhjen ndërkombëtare të Boki-13. .

Rama-Vuçiq-Zaev shtrëngojnë duart: Nuk do ta presim Bashkimin Evropian, s’jemi prioritet i tyre

Edi Rama, Alekandar Vuçiq dhe Zoran Zaev u zotuan sot se do të çojnë përpara të gjitha angazhimet që kanë marrë për bashkëpunimin e thellë midis tre shteteve.

Duke folur në konferencën e përbashkët me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin maqedonas Zoran Zav, Rama tha se angazhimet dhe projektet që synohen të çohen përpara janë dakordësuar në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ai theksoi se Ballkani Perëndimor nuk është më prioritet i Bashkimit Evropian, por kjo nuk duhet t’i pengojë tre shtetet që çojnë përpara axhendën e bashkëpunimit.

“S’ka ndryshim agjende në raport me partnerët ndërkombëtarë, por ka një ndryshim formati që është i ndërtuar mes nesh pa pritur që Bashkimi Evropian të ketë kohë të merret me ne. Le ta themi siç është realiteti, ne nuk jemi prioriteti i BE-së, prioriteti i tyre është procesi ku kanë hyrë për të reformuar veten. Ne nuk mund të presim të bëhemi prioriteti i BE-së, por të avancojmë duke strukturuar një veprim shumë më aktiv”, u shpreh Rama.

Kryeministri shqiptar garantoi se në bashkëpunimin midis tre shteteve nuk ka asgjë të panjohur nga çfarë është diskutuar më parë edhe me shtetet e tjera të rajonit.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tha se në takimin e sotëm kanë nënshkruar një dokument, i cili sipas tij përmban zbatimin e katër lirive kyçe: lirinë e shërbimeve, lirinë e kapitalit, lirinë e qytetarëve dhe lirinë e lëvizjes së mallrave.

“Dokumenti që kemi nënshkruar përmban zbatimin e katër lirive kyçe që janë të pranuara ndërkombëtarisht: liria e shërbimeve, liria e kapitalit, liria e qytetarëve dhe liria e lëvizjes së mallrave. Besojmë se qytetarët e vendeve tona meritojnë të ardhme më të mirë dhe standarde më të mira. Është koha që me mënyra të reja t’i përmirësojmë marrëdhëniet tona. Qëllimi jonë është që deri më 2021 të mundësojmë me letërnjoftim të kalojmë kufijtë e këtyre shteteve”, tha mes tjerash Vuçiq.

Ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, tha se takimi i sotëm dhe të tjerët që do të jenë në të ardhmen, janë për të krijuar Ballkan që do të respektohet nga të tjerët, që do të jetë më konkurrent dhe më tërheqës për investuesit, si dhe të rinjtë.

“Qëllimi jonë është për standard më të madh, më shumë para dhe fuqi ekonomike më të madhe, si dhe vende të reja pune, në mënyrë që të rinjtë të mësojnë, studiojnë në cilin do rajon dhe të mund të punësohen”, tha Zaev.

Ai shtoi se në hapjen e përbashkët të kësaj iniciative është që të dërgohet mesazhi se Ballkani nuk është më fuçi baruti, por rajon i stabilitetit.

Zaev gjithashtu theksoi se bashkëudhëheqja e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me Procesin e Berlinit do të jetë nxitës për këtë iniciativë./Telegrafi/TCh/

Regjim i ndryshuar i komunikacionit në rrugën magjistrale Grupçinë – Tetovë

Regjim i ndryshuar i komunikacionit prej sot do të ketë në rrugën magjistrale Grupçinë – Tetovë për shkak të aktiviteteve ndërtuese për vendosjen e sistemeve induktive.

Lidhja Automote e Maqedonisë informoi se regjimi i ndryshuar i komunikacionit do të zgjasë në dy ditët në vijim. fc/

Mançevski: Tregojmë se sistemi funksionon, presim akuzën e Remenskës për procedurë adekuate në parti

Nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski konsideron se së pari duhet të merret akuza për Frosina Remenskën për rastin “Reket” që pastaj të ndërmerren procedurat adekuate të brendshme partiake.

“Ne tregojmë dhe dëshmojmë se sistemi funksionon. Nëse më parë ishte i papërfytyrueshëm Prokuroria të dorëzojë ç’farëdo lloj akuze kundër cilitdo funksionar të partisë qeveritare, sot ajo është punë tërësisht normale. Nëse më parë Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit “nuk ka ekzistuar”, sot atë e ndjek pushteti për atë që nuk e bën siç duhet. Nëse Marko Zërlevski ka dorëzuar të paktën një padi penale kundër ndonjë ish funksionari të VMRO-DPMNE-së sot ndoshta do të ishim edhe në Bashkimin Evropian”, theksoi Mançevski.

Në tribunën “Në rrugë të drejtë”, që mbrëmë LSDM-ja e mbajti në Koçan, Mançevski theksoi se njëra nga përpjekjet në të cilat me përkushtim punohet është ligjet të fillojnë në mënyrë të barabartë të vlejnë për të gjithë qytetarët, ndërsa veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, sepse pushteti nuk duhet t’i mbrojë njerëzit e tij. .

Remenski nuk ndjen faj për rastin “Reket”

Deputetja Frosina Remenski pasi u rrëfye në Gjykatën Penale para gjykatësit të procedurës paraprake për rastin “Reket” në deklaratë për mediet tha se nuk ndjehet fajtore dhe se pret që Prokuroria ta dëshmojë atë për të cilën fajësohet. Derisa nuk dëshmohet faji me vendim të plotfuqishëm gjyqësor, thotë, ajo është a pafajshme.

“Dëshiroj të bëj dallim mes rastit ‘Reket’ të udhëhequr kundër tre të dyshuarve dhe për rastin për të cilin Prokuroria paralajmëron hetim në lidhje me veprimtarinë e Lidhjes Ndërkombëtare”, tha Remenski duke dalë nga Gjykata.

Ajo shtoi se janë kërkuar masa për të dhe se presin vendim.

Në lidhje me deklaratën e djeshme të kryeministrit Zoran Zaev se nëse një person dyshohet, akuzohet ose ngjashëm, do të largohet nga partia, Remenski theksoi se do ta respektojë secilin vendim.

Aspak nuk i jam hidhëruar liderit Zaev, tha ajo, dhe shtoi se deklarata e saj ishte transmetuar gabimisht.

Paraprakisht, Remenski në Gjykatën Penale u rrëfye para gjykatësit të procedurës paraprake në lidhje me rastin “Reket”.

Në Gjykatë sot duhet të paraqiten edhe disa të dyshuar në procedurën e zgjeruar për këtë rast.

Rasti “Reket” mori kahje tjetër pasi hetimi u zgjerua për edhe katër persona, ndërsa mbrëmë edhe për nënkryetaren e Lidhjes Ndërkombëtare Jasna Mandiq, pas arrestimit në Gjykatën Penale i ishte përcaktuar masa e arrestit shtëpiak. Mandiq dyshohet për mashtrim dhe pastrim parash në hetimin e zgjeruar për këtë rast.

Prokurorja Villma Ruskoska, e cila është kompetente për këtë rast, mbrëmë deklaroi se të tre të dyshuarit në hetimin e zgjeruar është përcaktuar urdhër për kontroll.

Pritet që sot të dorëzohet edhe akuza për pjesën e parë të hetimit. Ruskoska, mbrëmë deklaroi se ka “dëshmi të rëndësishme” për akuzën. Ajo theksoi edhe se një nga të dyshuarit ka kërkuar marrëveshje për pjesën e parë të hetimit.

Prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dje solli urdhër për zbatimin e procedurës kundër pesë personave fizik dhe një personi juridik, për shkak të ekzistimit të dyshimit bazë se i dyshuari i parë ka bërë vepër penale të vazhdueshme “mashtrim” dhe vepër penale “larje parash dhe punë tjera nga veprat ndëshkuese”.

Një prej personave të dyshuar si funksionar, së bashku me të dyshuarin e parë, nënvizohet në kumtesë, ka marrë pjesë në takimet e organizuara nga i dyshuari i parë, me ç’rast e ka shfrytëzuar reputacionin dhe autoritetin e vet dhe i dëmtuari ka fituar bindjen se pas projekteve të ofruara qëndron pushteti ekzekutiv.

Në rastin “Reket” i dyshuari i parë është Bojan Jovanovski – Boki13 për marrje të shpërblimit për ndikim kundërligjor dhe larje parash dhe punë tjera nga veprat ndëshkuese. I dyshuari i dytë, për tregti me ndikim, është Zoran Milevski – Kiçeec, ndërsa ish prokurorja speciale Katica Janeva është e dyshuara e tretë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizim.

Jovanovski dhe Janeva janë në paraburgim në INP Burgun Shkup, ndërsa Milevski është në arrest shtëpiak.

Jovanovski duhej të japë deklaratë në polici, por gjendja i’u përkeqësua dhe me ndihmën e shpejtë ishte dërguar në spital, ndërsa pastaj është kthyer në paraburgim.

Deklaratë në Prokurori nuk do të japë as Katica Janeva. Avokatja e saj Irena Fërçkovska për MEDIAL-n konfirmoi se ajo në këtë fazë nuk do të japë deklaratë, por do ta mbajë drejtësinë në lidhje me propozimin e dëshmitarëve dhe dëshmive më tutje në procedurë. fc/