24/04/2024
8.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pas sulmit të mbrëmshëm në Bruksel, është shtyre seanca e skriningut bilateral RMV-BE për Kapitullin 11

Pas sulmit tragjik mbrëmë në Bruksel, ku si pasojë 2 persona humbën jetën, delegacioni i Maqedonisë së Veriut njofton lidhur me përditësimin në procesin e skriningut bilateral për Kapitullin 11 – Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, i cili ishte i paraparë të vazhdonte sot dhe nesër në Bruksel. Sekretariati për Çështje Evropiane njoftoi se takimi i planifikuar për sot, do të mbahet të enjten, më 19 Tetor, transmeton Portalb.mk.

“Pas komunikimit dhe konsultimeve të vazhdueshme me përfaqësues të Komisionit Evropian, Misionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të BE-së, Misionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër NATO-s dhe Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Bruksel, dhe duke pasur parasysh situatën e krijuar të sigurisë, është marrë vendimi për shtyrjen e ditës së dytë të skrinigut bilateral për kapitullin 11. Takimi i planifikuar për sot, do të mbahet të enjten, më 19 Tetor”, thonë nga SÇE.

Ky vendim bazohet në angazhimin e përbashkët mbi sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë pjesëmarrësve të delegacionit tonë në procesin e skriningut me Komisionin Evropian.

Zëvendës krynegociarja Drita Abdiu Halili e cila udhëheq delegacionin e Maqedonisë së Veriut në Bruksel,  theksoi: “Edhe përkundër vështirësive, përkushtimi ynë për procesin e negociatave mbetet i palëkundur. Të gjithë anëtarët e delegacionit janë mirë dhe të sigurt, dhe të gjithë u kontaktuan menjëherë pas ngjarjes së mbrëmshme. Pas konsultimeve me përfaqësues të Komisionit Evropian, vendosëm që seanca e planifikuar për sot, të mbahet të enjten me 19 Tetor”.

“Delegacioni ynë çmon përkushtimin, mbështetjen dhe falënderojmë  kolegët tanë nga Komisioni Evropian, Misioni i Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të BE-së, Misioni i Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të NATO-s dhe Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Bruksel që gjatë tërë kohës u angazhuan për sigurinë tonë, duke na informuar dhe ofruar ndihmën e duhur”, shtojnë nga SÇE.

Për ndryshime apo përditësime të reja rreth procesit të skriningut dhe situatës së sigurisë në Bruksel pas sulmit të mbrëmshëm tragjik, opinioni do të informohet në mënyrë të saktë dhe në kohë.

Skriningu 3 ditor bilateral i RMV-së për Kapitullin 11, “Bujqësia dhe zhvillimi rural”, filloi dje. Kapitulli 11 përmban sërë rregullash detyruese, shumica e të cilave janë të zbatueshme drejtpërdrejtë. Aplikimi i korrekt i këtyre rregullave zbatimi efektiv dhe kontrolli nga ana e administratës efikase publike është i domosdoshëm për funksionimin e politikës së përbashkët bujqësore.

Më 5 dhe 6 tetor në Bruksel u zhvillua skriningu bilateral për Kapitullin 22, “Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore”, i cili është pjesë e Klasterit 5, “Resurset, Bujqësia dhe Kohezioni”, që përfshin rregullore lidhur me planifikimin dhe zbatimin e politikës së kohezionit të Bashkimit Evropian dhe përdorimin e Fondeve strukturore dhe investuese evropiane. Ndërsa më 14 dhe 15 shtator u zhvillua skriningu bilateral për Kapitullin 15 – Energjetika dhe Kapitulli 21 Rrjetet transevropiane, si pjesë e Agjendës së gjelbër i Klasterit 4 ndërlidhja e qëndrueshme.

Maqedonia e Veriut deri më tani ka përmbyllur skriningun bilateral dhe shpjegues për 4 Klasterë, apo gjithsej 26 Kapituj dhe 3 fusha. Mbetet që deri në nëntor të këtij viti, ta kompletojnë edhe skriningun bilateral për dy Kapitujt e fundit, respektivisht të përfundojnë skrining takimet për 7 kapitujt e mbetur për 2 klasterët e fundit: Resurse, bujqësi dhe kohezion dhe Marrëdhëniet e jashtme.

Skriningu është proces që Maqedonia e kalon me synim për t’ua anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Të fundit