Presidenti Stevo Pendarovski, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Takimin e 54-të Vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, foli dje në mbrëmje në sesionin “Dialogu Diplomatik për Ballkanin Perëndimor”, gjatë të cilit riafirmoi nevojën për integrim të përshpejtuar të vendeve të Ballkani Perëndimor, gjë që, sipas tij, do të ndikojë pozitivisht në sigurinë, proceset e përgjithshme politike dhe agjendën e reformave, si dhe në eurooptimizmin në rajon.
Në fokus të debatit ishin perspektivat për zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor në kontekstin më të gjerë gjeopolitik dhe të sigurisë, gatishmëria e tyre për zbatimin e reformave, pritshmëritë nga zgjedhjet evropiane, përmirësimi i integrimit ekonomik të rajonit dhe rritja e tij.
Siç theksoi Pendarovski, perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk nevojitet vetëm për forcimin e ekonomisë, promovimin e tregtisë dhe përmirësimin e standardit jetësor, por nevojitet edhe integrimi politik në institucionet e BE-së, i cili, siç theksoi, do të kontribuojë për zhvillim demokratik, forcimin e institucioneve, sundimin e ligjit dhe mediat e lira.
Presidenti Pendarovski theksoi se në kohë krizash të shumta është e rëndësishme që stabiliteti i Ballkanit Perëndimor të ketë një prani më të madhe evropiane në rajon.
Siç informojnë nga zyra e Pendarovskit, në mesin e folësve të seancës ishin Ursula fon der Lajen,kryetare e Komisionit Evropian, Ministri Federal për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Aleksander Shallenberg, ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitro Kuleba, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili, kryeministri i Moldavisë, Dorin Recean dhe Miroslav Lajçak, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd dhe Ballkanin Perëndimor.