12/07/2024
24.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Penov: Me ndërtimin e një stacioni, qeveria zgjidh problemin e qenve të pastrehë në nëntë komuna në rajonin e Vardarit

Me ndërtimin e stacionit, Qeveria po e zgjidh problemin e qenve të pastrehë në nëntë komuna të rajonit të Vardarit, tha sot ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov në Kavadar.

Ai sqaroi se po fillon ndërtimi i stacionit për qen të pastrehë, i cili ndodhet në territorin e komunës së Kavadarit, i cili zgjidh këtë problem akut për 150 mijë qytetarë në nëntë komuna të rajonit planor të Vardarit.

– Është nënshkruar marrëveshja për financimin e një projekti rajonal, me të cilin Qeveria zgjidh problemin e kujdesit për qentë e pastrehë në rajonin planor të Vardarit. Buxheti i përgjithshëm i projektit është 20.916.000 denarë, ndërsa mjetet për ndërtimin e stacionit në vlerë prej 11,5 milionë denarë janë siguruar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale përmes projektit “Zhvillimi i balancuar rajonal i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës”. Nga mjetet totale, 9,5 milionë denarë janë mbështetje nga Qeveria zvicerane, e cila realizohet në kuadër të projektit, informoi Penov.

Ai sot ka pasur një takim me kryetarin e Komunës së Kavadarit, Mitko Jançev, me të cilin ka biseduar për qëndrueshmërinë e projektit.

– E mirëpres iniciativën e Komunës së Kavadarit dhe qasjen rajonale në zgjidhjen e çështjes, të cilën duhet ta ndjekin edhe rajonet tjera planore. Komunat janë ato që mund të bëjnë vlerësimin më të mirë, të ofrojnë të gjitha kushtet dhe dokumentet për ndërtim dhe të ofrojnë projekte konkrete, theksoi Penov.

Ai bëri të ditur se ekziston një program buxhetor për zhvillim të balancuar rajonal, nga i cili mund të financohen projekte të tilla në rajonet e tjera planifikuese dhe mund të sigurohet pjesëmarrja e donatorëve, si në rastin konkret, përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Me ndërtimin e stacionit do të sigurohen kushte adekuate për kujdes të vazhdueshëm të qenve të pastrehë përmes ndërtimit të strehimores qendrore dhe do të rritet siguria e qytetarëve.

Nëpërmjet një platforme të posaçme ueb, është planifikuar të lehtësohet mënyra e raportimit të një problemi nga qytetarët, si dhe do të zhvillohet një sistem për monitorimin dhe regjistrimin e qenve të pastrehë.

Qendra për zhvillimin e rajonit planor të Vardarit fillon ndërtimin e projektit “Qendra rajonale për përkujdesje të kafshëve shtëpiake të pastrehë dhe shëndet veterinar”, i mbështetur financiarisht nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Kështu u tha në manifestimin e sotëm në Kavadar, ku u prezantua projekti dhe aplikimi i tij dhe u promovua logoja e Qendrës. Aktivitetet janë në kuadër të projektit “Zhvillimi i balancuar rajonal i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës” – faza e dytë.

Të fundit