15/06/2024
22.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Përbërja e Komisionit Anketues për rastin e Onkologjisë në debat

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot seanca do të mbajnë komisionet për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve dhe Komisioni Juridik ligjvënës.

Përcaktimi i propozim-vendimit për zgjedhjen e kryetarit, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre të Komisionit Anketues për skandalin në ISHP Klinikën Universitare për Radioterapi dhe Onkologji, është pika e vetme që do të diskutohet nga anëtarët e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime.

Do të ketë përgjegjësi për rastin e onkologjisë dhe përgjegjësit për keqpërdorime të mundshme do të nxirren në opinion me emër dhe mbiemër, theksoi dje zëvendësministrja e Shëndetësisë Maja Manoleva, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të VMRO-DPMNE-së Petar Risteski.

Zëvendësministrja Manoleva tha se procedura me rastin e onkologjisë nuk ka përfunduar dhe sipas kësaj nuk mund të jepen kualifikime se askush nuk do të mbajë përgjegjësi për këtë.

“Në komunikimin e përditshëm, si Ministria e Shëndetësisë ashtu edhe Klinika e Onkologjisë bashkëpunojnë siç duhet dhe dorëzojnë të gjitha të dhënat e nevojshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë Publike, të cilat janë kërkuar nga ne. Apelojmë tek këto institucione që ta zgjidhin rastin sa më shpejt që të mos kemi kualifikime të tilla të papërshtatshme. Kjo do të jetë para së gjithash në interes të pacientëve tanë, sepse dua të apeloj dhe të them që të mos bëhen pohime të rreme se  aktualisht shfrytëzohen pacientët e vdekur  për keqpërdorim të ilaçit”, theksoi Manoleva.

Në rend dite të Komisionit Juridik-ligjvënës janë Propozim-vendimi për risistemim të mjeteve ndërmjet shfrytëzuesve buxhetor të pushtetit qendror dhe ndërmjet Fondeve dhe Propozim-ligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për zbatim të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023, me procedurë të shkurtuar.

Të fundit